E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton, mes Lindjes së Mesme, Evropës e Rusisë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Rodam Klinton, po shfrytëzon turin e dytë të udhëtimeve për të trajtuar problemet e paqes në Lindjen e Mesme, të rifreskojë lidhjet me aleatët evropianë dhe t‘i kujtojë analogut rus që përpjekjet e Uashingtonit për përmirësimin e raporteve me Moskën kanë një limit.

Ajo do ta nisë turin njëjavor me pjesëmarrjen në një konferencë ndërkombëtare në Egjipt, ku të hënën do të bëjë publik planin amerikan për një ndihmë humanitare prej 900 milionë dollarësh për rindërtimin e Rripit të Gazës. Palestinezët kërkojnë në fakt 2.8 milionë dollarë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara nuk e njohin lëvizjen Hamas që kontrollon Gazën dhe nuk do të lejojnë që paratë e saj të kalojnë përmes kësaj organizate.

Klinton do të vizitojë edhe Izraelin për t‘i garantuar përkushtimin e Obamës për "zgjidhjen me dy shtete", që do të thotë një shtet sovran palestinez në paqe me Izraelin. Mes liderëve që pritet të vizitojë në Izrael janë Netaniau dhe ministrja e Jashtme, Tzipi Livni, liderja e Partisë së qendrës Kadima, e cila fitoi në zgjedhjet e shkurtit një vend më shumë në Parlament se Partia Likud e Netaniaut. Klinton do të shkojë gjithashtu edhe në Bregun Perëndimor, për të takuar liderët e Autoritetit Palestinez.

Daniel Fraid, asistenti i Hilari Klinton për aferat evropiane, tha se shefja e diplomacisë amerikane, që prej së enjtes do të gjendet në Evropë, fillimisht në Bruksel, "për konsolidimin e atij vullneti të mirë që gjendet me bollëk të dyja anëve të Atlantikut dhe për përshtatjen e tij në një axhendë të përbashkët - jo një axhendë amerikane, por një axhendë e përbashkët transatlantike".

Të premten, është parashikuar që Klinton të takohet në Gjenevë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, marrëdhëniet e të cilit me Kondolesa Rais, paraardhësen e Hilari Klinton, kanë qenë shpesh të tendosura. Sipas agjencive ruse të lajmeve mësohet se takimi do të përqendrohet te problemet e armatimeve. Kjo ka qenë një çështje mjaft e nxehtë për rusët gjatë administratës "Bush", i cili braktisi traktatin kundër raketave balistike të vitit 1972 që në fillim të termit të parë presidencial për hir të krijimit të një sistemi mbrojtjeje kundër raketave të kundërshtuar fort nga Moska.

Fraid tha që, megjithëse administrata amerikane është e interesuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë, Lavrovit do t‘i sqarohet se Amerika nuk ka ndërmend të pranojë qëndrimin sipas të cilit Rusia ka sferat e veta të influencës në Azinë Qendrore dhe Evropën Lindore, gjë që i jep Moskës mundësinë të thotë fjalën e vet në çështje siç është ajo e sistemit mbrojtës kundër raketave.

Administrata amerikane ka ndërmend t‘i vërë re Moskës domosdoshmërinë e përdorimit të toneve të matura, sqaroi Fraid. Në këtë pikë përfshihet edhe shqetësimi që Moska ka shkuar shumë larg me tregimin e muskujve në shtete siç janë ish-Republika Sovjetike e Gjeorgjisë, ku trupat ruse u angazhuan në një luftë të shkurtër gjatë verës së shkuar, ashtu si edhe kundërshtimet që ngre lidhur me anëtarësimin në NATO të disa shteteve siç është Ukraina. "Mënyra më produktive është krijimi i zonave me interes të përbashkët, por njëherësh edhe të vëmë theksin te kundërshtitë tona", tha Fraid.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›