E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton në Ballkan, viziton në një ditë Sarajevën dhe Serbinë



Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton ka nisur dje turneun e saj në Ballkan, fillimisht është ndalur në Sarajevë, ndërsa sot pasdite pritet të mbërrijë në Serbie më pas në Prishtinë. Në vizitën e saj në Sarajevë, Klinton është takuar me liderët e Bosnjës, ku ka diskutuar për situatën pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Gjatë padites, sekretarja Klinton do të udhëtojë drejt Serbisë, ku do të takohet me presidentin Boris Tadiç. Vizita e Klinton në rajon vjen para zhvillimit të bisedimeve Serbi-Kosovë dhe mbështetjes së SHBA-ve për integrimin europian. Ditën e nesërme, Klinton do të vizitojë Kosovën dhe do të takohet me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, kryeministrin Hashim Thaçi si dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hysenin. Kosova me këtë rast ka zhvilluar përgatitjet për pritjen e Klinton dhe për t’i uruar asaj mirëseardhjen. Kjo është vizita e parë e Hilari Klintonit në Prishtinë, që nga marrja e detyrës në krye të Departamentit të Shtetit. Dy ditë para vizitës së sekretares Klinton, Policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat e duhura që gjithçka të shkojë sipas protokollit. Megjithëse policia nuk bën të ditur se sa është numri i policëve që do e sigurojnë këtë ngjarje, zyrtarët e uniformave blu zotohen se, gjithçka do të shkojë sipas planit. Sekretarja Klinton në Prishtinë do të takohet me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni. Më pas, Hilari Klinton do të vizitojë edhe Graçanicën, ku do të takohet me drejtuesit serbë të kësaj komune. Në axhendën e zonjës Klinton nuk figuron ndonjë vizitë e shkurtër në sheshin “Bill Clinton” në qendër të kryeqytetit, aty ku shqiptarët e Kosovës për të nderuar figurën e bashkëshortit të saj Bill Klinton ngritën këtë shtatore në shenjë falënderimi për kontributin e ish-presidentit amerikan ndaj popullit të Kosovës. Pas vizitave në Sarajevë, Beograd e Prishtinë, Klinton do të ndalet në Bruksel. Nga drejtuesit e BE-së, Klinton pritet të kërkojë të bëhet e qartë e ardhmja europiane e Kosovës, ashtu si për të gjitha vendet e rajonit, si mundësi për të çuar përpara reformat.

Kosovë, Mustafa: Nuk e përkrah Sejdiun

Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka deklaruar se prania e tij në vizitën e kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, në Mitrovicë nuk do të thotë se ai e mbështet ish-presidentin.
Deklaratën e tij Mustafa e ka bërë gjatë një vizite të kryer në zonën industriale të Prishtinës, ku inspektoi punimet për shtrimin e një rruge. “Vizita ime në Mitrovicë me kryetarin e LDK-së është bërë në kuadër të një vizite të kryesisë së partisë dhe nuk nënkupton përkrahjen ndaj Fatmir Sejdiut në zgjedhjet e ardhshme për kryetarin e LDK-së”, ka pohuar Mustafa. Gara për kryetarin e partisë së dytë më të madhe të Kosovës pritet të jetë e ashpër pasi në të do të marrin pjesë figurat kyçe të saj.

Greqi
Shpallet fajtor polici që nxiti trazirat

Një polic grek i cili qëlloi për vdekje një nxënës 15 vjeçar dy vjet më parë është shpallur fajtor nga një gjykatë greke. Vrasja e të riut çoi në trazirat më të këqija në Greqi për disa dekada.
Gjykata në qytetin Amfisa shpalli policin Epaminondas Korkoneas, 38- vjeçar, fajtor për vrasjen e të riut, Aleksandros Grigoropoulos. Ai u vra gjatë protestave antiqeveritare të 6 dhjetorit të vitit 2008 në Athinë. Polici ka pohuar se të shtënat e tij kishin qenë në ajër për të paralajmëruar një grup të rinjsh që po e sulmonin atë.

Hungari
Rrezik për një valë tjetër të përhapjes së baltës toksike

Shtetet e BE-së kanë dërguar pesë ekspertë në përpjekje për të luftuar pasojat e baltës toksike që u përhap për shkak të një avarie në një fabrikë alumini një javë më parë. Gjatë një vizite që zhvilloi në vendin e katastrofës, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban deklaroi se situata është dramatike nisur nga përmasat e kësaj katastrofe, sepse muri mbrojtës për mjedisin, fshatin dhe qytetin në afërsi të kësaj zone është në gjendje të keqe dhe mbrojtja nga katastrofat nuk do që ta tërheqë paralajmërimin për rrezik.

Afganistan
Këshilli për Paqe kryesohet nga veterani Rabani

Këshilli për Paqe në Afganistan, që ka për mision përfundimin paqësor dhe me negociata të luftës me talebanët, udhëhiqet nga veterani në Afganistan, që ishte i implikuar në krime të luftës.
Zyra e presidentit Hamid Karzai, ka njoftuar se Këshilli i Lartë për Paqe, me 70 anëtarë, do të udhëhiqet nga Burhanudin Rabani, lider muxhahedin, që luftoi kundër forcave sovjetike në vitet e 80-ta dhe ishte president i Afganistanit në fillim të viteve të 90-ta, deri në vitin 1996, kur u përmbys nga talibanët.

OKB
Votohet për anëtarët jo të përhershëm të KS-së

OKB voton sot për anëtarët jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermania është krahas Kanadasë dhe Portugalisë një nga kandidatët për dy vendet, që lirohen për shtetet perëndimore.
Megjithatë, Gjermania nuk është favorite: konkurrentët e saj në garë, Kanadaja dhe Portugalia janë të fortë. Kanadaja gëzon një imazh të shkëlqyer në të gjithë botën dhe konsiderohet një komb i drejtë dhe neutral. Ndërsa Portugalia si shtet i vogël, llogarit me shanse të mira në radhët e kombeve të tjera të vogla, para së gjithash tek amerikanojugorët dhe afrikanët.

12 Tetor 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›