E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qëllimi ynë është ta çojmë drejt zeros numrin e dosjeve të legalizimeve”



Anilejda Shëmbitraku

“I gjithë procesi është një cikël dhe shifrat nuk kanë shumë vlerë, pasi të vetmes shifër së cilës ne i referohemi është të çojmë drejt zeros numrin e dosjeve që janë në proces legalizimi. Ky është objektivi ynë”. Kështu ka deklaruar në një intervistë të dhënë për gazetën “Albania”, Ferdinand Shehu, drejtor i Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t të për Tiranën. Ai ka theksuar se pas likuidimit dosja merr rrugën për në drejtimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive.

Me çfarë ritmesh po ecën puna në Agjencinë e Legalizimeve të Tiranës?
Mund të themi se falë punës intensive, vetë procesi ka hyrë në një fazë përfundimtare. Kjo fazë konsiston në dy drejtime: po bëhet azhurnimi në terren i atyre objekteve që gjatë azhurnimit total të bërë, mund të kenë pasur nevojë për ndonjë saktësim. Nga fillimi i shtatorit është bërë “krehja” e disa zonave, si i njësive bashkiake 1, 2, 3, 4, 5 dhe 8. Për arsye objektive ose subjektive, në matjet e para të subjekteve mund të mos jenë gjetur personat që posedojnë objektet ose dhe mund të ketë pasur nevojë për ndonjë saktësim për pjesët e objektit të azhurnuar më parë. Gjithsesi, e gjithë puna që është zhvilluar përgjithësisht në muajin shtator ka pasur si rezultat faktin që ne të dalim në përfundimin se për zonat 3, 5 dhe 8 azhurnimi është përfunduar totalisht.

Sa dosje që kanë shlyer detyrimet financiare i kanë kaluar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Patundshme?
Normalisht numri i këtyre dosjeve rritet dita- ditës dhe disa janë ende për certifikim në drejtorin e Përgjithshme të ALUIZNI-t. Tani ne nisim 3000 dosje drejt Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Patundshme, një pjesë e mirë e të cilave i ka shlyer detyrimet financiare, pra ka kryer aktin e kalimit të pronësisë pranë noterit. I gjithë procesi është një cikël dhe shifrat nuk kanë shumë vlerë, pasi të vetmes shifër së cilës ne i referohemi është të çojmë drejt zeros numrin e dosjeve që janë në proces legalizimi. Ky është objektivi ynë.

Sa mendoni se janë të ardhurat që janë mbledhur nga procesi i legalizimeve deri në këto momente?
Të ardhurat dita-ditës janë në rritje dhe ju e keni parasysh vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për kompensimin e ish-pronarëve. Të gjitha shumat e lekëve të mbledhura nga ky proces shkojnë në llogari të shtetit për kompensimin e ish-pronarëve. Pra ashtu siç është e përcaktuar me ligj, 80% është për kompensimin dhe 20% i kalon pushtetit lokal për urbanizimin e zonës.

Kur thoni do të përfundojë procesi, keni parasysh që këto objekte do të jenë gati për në zyrat e regjistrimit të pasurive?
Këtu flasim për një përfundim azhurnimi dhe më pas fillojnë procedurat e tjera, ashtu siç janë të përcaktuara në ligj. Faza tjetër, që sot është shumë intensive, është kompletimi i dosjeve që bëhet nga specialistë që janë të ndarë në 11 grupe pune këtu në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Tiranë. Produkti i parë i dalë nga këto grupe pune për të 11 njësitë bashkiake është lista e plotë e 1800 qytetarëve që duhet të kryejnë detyrimet financiare. Pra dosja e tyre është e përfunduar dhe pritet vetëm likuidimi i faturës financiare nga ana e tyre. Pas likuidimit dosja merr rrugën për në drejtimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive.

A ka limit kohor për likuidimin e faturës financiare?
Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të likuidojnë menjëherë faturën dhe të kenë kujdes, sepse nëse nuk paguhet taksa e ndikimit në infrastrukturë brenda 30 ditëve nga momenti kur dorëzohet, nisur nga ligji i pushtetit vendor, poseduesi penalizohet me 25% të taksës. Për pjesën tjetër të dosjeve është duke u punuar intensivisht nga grupet e punës. Për grupin tjetër të qytetarëve do të ketë një njoftim të ri. Në këtë mënyrë do të vazhdohet javë pas jave.

Universiteti, kundër Ministrisë së Arsimit

Renditja e institucioneve të arsimit të lartë kërkon më parë akreditimin e tyre nga autoritete kompetente

Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka konstatuar se MASH ka filluar procedurat për realizimin e renditjes së institucioneve të arsimit të lartë, duke kontraktuar një kompani gjermane për këtë qëllim. Senati Akademik i UT, duke marrë edhe opinionet paraprake të specialistëve të Universitetit dhe qëndrimin e të gjithë drejtuesve të njësive kryesore, vlerëson se procesi i renditjes së institucioneve të arsimit të lartë nuk mund të kryhet pa u bërë më parë akreditimi i këtyre institucioneve nga autoritetet kompetente dhe me një procedurë të bazuar në ligj dhe të drejtë. Universiteti i Tiranës ka qenë i pari universitet që edhe publikisht e ka shprehur qëndrimin e tij dhe shqetësimin se është e domosdoshme që ashtu si edhe në vende të tjera, universitetet dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë duhet t`i nënshtrohen një procesi akreditimi për të garantuar jo vetëm kërkesat ligjore, por edhe cilësinë e Arsimit të Lartë në Shqipëri. Në këto kushte, bazuar në nenin 14 të Ligjit Nr. 9741, dt.21.5.2007: “Për arsimin e lartë në RSH”. i ndryshuar, Senati Akademik i UT ka vendosur që: T`i sugjerojë MASH-it që të mos kryhet procesi i renditjes të IAL-ve pa u kryer më parë ai i akreditimit të tyre. Në të kundërt, UT nuk do të marrë pjesë në procesin e renditjes së parë të institucioneve të arsimit të lartë të iniciuar nga MASH me kompanitë gjermane “CHE gmbH”. Rektorati i UT-së t’ia përcjellë këtë vendim Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ta bëjë publike atë dhe t`ua njoftojë këtë qëndrim universiteteve të tjera.

Profesorati, neglizhent, studentët e Mjekësisë protestojnë

Për të fituar të drejtën e studimit në Mjekësi duhet të jesh një nxënës me mesatare mbi nëntë dhe të kesh formim të mirë. Por, pasi kalojnë këtë hendek, studentët e rinj përballen me një sistem jofunksional arsimimi. Profesorati, shumica mjekë të spitaleve në QSUT, akuzohet nga studentët për neglizhencë totale në procesin e mësimdhënies. Në këto kushte, për herë të parë studentët janë hedhur në një protestë kundër këtij niveli të mësimdhënies. Nuk dinë të kryejnë injeksione dhe as të përdorin stetoskopin, e megjithatë janë studentë të vitit të katërt apo të pestë në Mjekësi. Në teori kanë arritur rezultate të larta, por në praktikë nuk dinë asgjë. Dy apo shumëpunësimi i pedagogëve ka çuar në mosrealizimin e orëve të mësimit ose realizimin e tyre në mënyrë fiktive. Studentët kanë vendosur të mos frekuentojnë më leksionet dhe seminaret derisa Dekanati të reflektojë duke zbatuar rregullat e mësimdhënies, rregulla që edhe pse janë hartuar prej tyre, nuk zbatohen.

3 Dhjetor 2010

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›