E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton në Kosovë edhe për dialogun me Serbinë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton pritet të vizitojë Kosovën në fillim të tetorit. Burime të Express bëjnë të ditur se ajo do të jetë një ndër 400 mysafirët e Presidentes Atifete Jahjaga, në një konferencë për rolin e gruas që do të mbahet në Prishtinë. Këtë vizitë, Shefja e diplomacisë amerikane do ta shfrytëzojë edhe për të inkurajuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
 

Shefja e diplomacisë amerikane, Hillary Clinton pritet të vizitojë Prishtinën në fillim të muajit të ardhshëm. Sekretarja Clinton vjen në kryeqytetin kosovar me ftesë të Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga.
 

Përveç të parës së diplomacisë së SHBA`së, në Prishtinë do të vijnë edhe rreth 400 zonja të tjera për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për rolin e gruas.
 

Në Presidencë ende nuk e kanë konfirmuar mbajtjen e kësaj konference, por burime të gazetës Express thonë se do të marrin pjesë disa prej grave më të suksesshme të botës.
 

“Konferenca pritet të mbahet më 4 tetor, ndërkaq zonja Clinton është njëra ndër 400 mysafiret e ftuara”, ka thënë një zyrtar i lartë ndërkombëtar, në kushte anonimiteti.
 

“Ajo pritet të marrë pjesë në konferencë së bashku me gra lidere nga e gjithë bota, ambasadore dhe ministre të jashtme...”.
Këtë vizitë, zonja Clinton pritet ta shfrytëzojë edhe për takime me liderët politikë të Prishtinës, të cilët do t`i inkurajojë për nisjen e bisedimeve me Beogradin.
 

“Zonja Clinton do të shfrytëzojë punimet e konferencës që të takojë Thaçin. Ata pritet të diskutojnë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që pritet të nisë në tetorin e këtij viti”, ka thënë burimi.
 

Para se ta takojë Sekretaren Clinton, Kryeministri Hashim Thaçi për të njëjtën temë do të bisedojë edhe me një zonjë tjetër, Shefen e diplomacisë europiane, Baroneshën Catherine Ashton. Ky takim do të zhvillohet gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
 

Kjo është konfirmuar ditë më parë nga Maja Kocijancic, Zëdhënëse e Ashtonit.
“Shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton do të bisedojë me Presidentin e Serbisë dhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB`së, në New York”, ka thënë Kocijancic.
 

Zyrtarët e BE`së dhe ata të SHBA`së ka kohë që i kanë intensifikuar përpjekjet për të rifilluar bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Madje nga qarqet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB`së në New York po shihet si arena më e përshtatshme për një duarshtrëngim ndërmjet dy liderëve shtetërorë, Thaçi dhe Nikolic.
 

E paqartë mbetet nëse një skenar i tillë do të mund të realizohet.Autoritetet kosovare zyrtarisht nuk kanë folur për një takim të tillë, ndërkohë që në opinion janë zotuar se nuk do të ketë kurrfarë dialogu me palën serbe pa u implementuar marrëveshjet e arritura në bisedimet paraprake në Bruksel.
 

Mirëpo Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi javën e kaluar para gazetarëve ka pohuar se cilido hap që do të bëhet, do të jetë në koordinim me BE`në dhe SBHA`në.
 

“Do të jetë në koordinim me BE`në dhe SHBA`në, në cilindo rast. Nuk është i lidhur me afatin kohor, por është i lidhur me rezultatet që mund të jenë në terren”, pati thënë Kuçi para gazetarëve.
 

E, pikërisht autoritetet europiane dhe amerikane janë ato që po kërkojnë vazhdimin sa më të shpejtë të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
 

Burime të gazetës kanë thënë se vjeshta e këtij vitit do të mund t`i gjejë të dyja shtetet në tryezën e bisedimeve politike, ku pritet të diskutohet edhe për Veriun e Kosovës.
 

Ndërkohë që Sekretarja amerikane Hillary Clinton, përveç të tjerash është përmendur edhe si bashkëndërmjetësuese e mundshme në këto bisedime, së bashku me Baroneshën Ashton.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›