E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, mblidhet nesër AAK-ja, diskutohet për koalicionin

Pas Partisë Demokratike të Kosovës të kryeministrit Hashim Thaçi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt do ta mbledh kryesinë e saj, për të diskutuar çështjen e koalicionit mes dy partive politike.
 

Sipas mediave kosovare të cilat citojnë burime brenda kryesisë së AAK-së, mbledhja do të zhvillohet nesër pasdite ndërsa në mbledhje pritet të bisedohet për mundësinë e hyrjes në koalicion me PDK-në.
 

Zërat për një koalicion mes partisë së Thaçit dhe asaj të Haradinajt kanë nisur pak kohë më parë, që kur Kushtetuesja vendosi se mandati i Jahjagës duhet të jetë i plotë. Kështu, pakënaqësia e Pacollit, i cili qëndroi në koalicionin qeveritar për të plotësuar më pas ëndrrën e tij për Presidencën, është shtuar.
 

Pas përfoljeve të shumta në publik për një koalicion të ri, për shkak të bisedimeve me Serbinë, rikonfigurimi në skenën politike mund të ndodhë pikërisht për shkak të skandaleve të fundit në të cilat është implikuar zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, partneri kryesor i Kryeministrit Thaçi.
 

Pacolli është bërë një nga figurat qendrore të “aferës Grand”, pasi ka zbuluar se atij i janë kërkuar 3.6 milionë euro nga Astrit Haraçija, ish-zyrtar tjetër i qeverisë, për të rregulluar çështjen e pronësisë së hotelit të famshëm të kryeqytetit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›