E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia, pakt të ri strategjik me SHBA

Rusia bëri thirrje dje për një marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zëvendësimin e traktatit strategjik për reduktimin e armëve nukleare të njohur si START-1, duke e konsideruar paktin e ri si prioritet për "rinisjen" e marrëdhënieve nga e para të kërkuar nga Uashingtoni. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas bisedimeve dypalëshe të zhvilluara në Gjenevë me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, në një konferencë për çarmatimin u shpreh: "Jemi të përgatitur, ashtu siç sugjeruan partnerët amerikanë, ‘të rinisim‘ nga e para marrëdhëniet tona. Arritja e një traktati ligjor ruso-amerikan mbi armët ofensive strategjike mund të kthehet në hap prioritar në atë drejtim".

Në një konferencë shtypi të mbajtur pas takimit, Lavrov gjithashtu i bëri thirrje Uashingtonit të merrte parasysh shqetësimet e rusëve në çastin kur rishikonte planet për krijimin e sistemit mbrojtës kundër raketave në Evropën Lindore. Lavrov vërejti se ky sistem nga Moska do të konsiderohej si kërcënim. "Në rast se do të krijohet një pozicion i tretë në Evropën Lindore, kjo do të përbënte rrezik për interesat strategjike të Federatës Ruse. Do detyroheshim të merrnim masat tona për ta zbutur këtë rrezik", u shpreh Lavrov. "Nga ana tjetër, nuk do na pëlqente të lëviznim në këtë drejtim".

Edhe Klinton kishte bërë me dije një ditë më parë se për Uashingtonin është prioritet arritja e një pakti të ri me Rusinë për zëvendësimin e Traktatit START-1 (Reduktimi i Armëve Strategjike) mbi pakësimin e armëve me rreze të largët veprimi, i negociuar gjatë epokës së Luftës së Ftohtë, afati i të cilit mbaron në dhjetor të vitit 2009.

Rusia e konsideron këtë traktat si gurin themeltar në fushën e kontrollit të armëve pas Luftës së Ftohtë dhe beson se skadimi i tij pa u zëvendësuar nga një traktat adekuat mund të acarojë baraspeshat strategjike. Në konferencën e çarmatimit, Lavrov citoi edhe Presidentin, rus Dimitri Medvedev, sipas të cilit marrëveshja e re nuk duhet të kufizohej vetëm te kokat nukleare, "por edhe te mjetet transportuese, raketat balistike interkontinentale, raketat balistike të nëndetëseve dhe bombarduesit e rëndë". Administrata "Bush", e cila qe përpjekur pa sukses të arrinte një marrëveshje për zëvendësimin e START-1, këmbëngulte që në traktat të përfshiheshin vetëm kokat nukleare.

Lavrov përsëriti edhe qëndrimin rus që Lindja e Mesme të kthehet në një rajon pa armë nukleare. "Detyra për ta kthyer rajonin e Lindjes së Mesme në një zonë pa prani armësh nukleare mbetet urgjente. Ne kemi mbështetur vazhdimisht idenë që kjo zonë nuk duhet të ketë armë nukleare, por njëherësh të jetë e pastër nga çdo lloj arme shkatërrimi në masë". Mendohet se Izraeli është i vetmi shtet i këtij rajoni që zotëron arsenal nuklear, megjithëse nuk e ka pranuar kurrë praninë e armëve atomike e as testimin e tyre.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa prej aleateve të saj perëndimore besojnë se Irani po zhvillon në fshehtësi një armë nukleare nën justifikimin e një programi nuklear për qëllime civile. Lavrov, shteti i të cilit ka ndihmuar Iranin për ndërtimin e një impianti nuklear për prodhimin e energjisë elektrike, i balancoi komentet mbi Lindjen e Mesme, duke thënë se traktati i mosproliferimit i garantonte shteteve të drejtën për të përdorur energjinë nukleare për qëllime civile.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›