E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhjet, policia vë në pranga 22-vjeçarin, në kërkim bashkëpunëtori



GJIROKASTËR - Zbulohen disa vjedhje të kryera në Gjirokastër dhe në pranga është vënë një i ri dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se rreth orës 19:00 të dy ditëve më parë, nga efektivët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës është bërë arrestimi i Klodian Çobos, 22 vjeç. Arrestimi i tij është bërë pasi në bashkëpunim me Mikel Çingën, disa ditë më parë gjatë orëve të natës, në qytetin e Gjirokastrës kanë vjedhur me thyerje kasetofonët e tri automjeteve në pronësi të shtetasve A. C., A. DH. dhe E. A., banues në lagjen “18 Shtatori” të këtij qyteti. Këta persona, përveç kasetofonëve, kanë marrë edhe materiale pune në bagazhin e automjetit të shtetasit E. A. dhe konkretisht: një troko, një trapano, adoptor, një punto, një dorezë kompresori, një trapano kompresor, një trok të vogël etj. Të dëmtuarit kanë bërë denoncim në Drejtorinë e Policisë së qarkut Gjirokastër. Menjëherë kanë nisur hetimet dhe në bazë edhe të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative për autorët e mundshëm, është bërë e mundur zbardhja e këtyre vjedhjeve, sekuestrimi i një pjese të provave materiale pasi disa sende autorët i kishin shitur, si dhe ndalimi i Klodian Çobos për veprën penale të “vjedhjes” së kryer në bashkëpunim. Ndërkaq, policia ka bërë shpalljen në kërkim e autorit tjetër Mikel Çinga, 30 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Durrës. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Terrorizon fshatin me armë, kapet 36-vjeçari Veshi
TEPELENË - Një 36-vjeçar është vënë në pranga pasi ka qëlluar me armë duke rrezikuar jetën e banorëve. Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Gjirokastrës, sipas së cilës, në pranga është vënë Viktor Veshi, të cilit i është gjetur dhe një armë pa leje. Dy ditë më parë, rreth orës 18:00, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë është bërë një telefonatë se në fshatin Nivicë të komunës Kurvelesh, një person po qëllonte me armë zjarri në ajër në vendin e quajtur Llufë në afërsi të fshatit Nivicë. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë së Komisariatit të Tepelenës, të cilët kanë rrethuar zonën ku qëllonte i ndaluari. Për të siguruar jetën e banorëve të zonës, policia ka ndaluar qarkullimin dhe më pas i ka bërë thirrje të dyshuarit të dorëzohej. Menjëherë pasi ka kuptuar që është i rrethuar, Veshi është dorëzuar pa bërë rezistencë. Menjëherë është vënë në pranga Viktor Veshi, 36 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Nivicë të rrethit Tepelenë. Gjatë arrestimit policia ka sekuestruar armën e zjarrit tip “Kallashnikov” model 56, së bashku me karikatorin me fishekë. Arrestimi në flagrancë i Veshit është bërë për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për hetime të mëtejshme.

Gruaja dhunonte fëmijët, bashkëshorti e denoncon
DURRËS - Një burrë dhe një grua kanë denoncuar dhunën në familje. Gruaja me inicialet F. Rr. është vënë nën mbrojtjen e policisë pasi dhunohej nga ish-bashkëshorti. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes ndaj 54-vjeçares me inicialet F. Rr., banuese në Fermë-Xhafzotaj, Durrës, e divorcuar. Ajo ka denoncuar se prej disa kohësh është dhunuar në mënyrë sistematike fizikisht e psikologjikisht nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi F.L., 52 vjeç, banues në të njëjtin vend.
Gjithashtu policia ka administruar dhe denoncimin e 35-vjeçarit me inicialet M. K., lindur e banues në Fushë Krujë. Ky i fundit pretendon se bashkëshortja e tij, K. K., 36 vjeçe, banuese në Fushë Krujë, në mënyrë sistematike ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike tek fëmijët e tyre. Dosjet me materialet proceduriale i kanë kaluar menjëherë për ndjekje Gjykatës së Rrethit Durrës e Krujë.

Shkojnë të vjedhin, kapen në flagrancë nga policia

FIER - Dy të rinj janë vënë në pranga në Fier pasi kanë tentuar që të vjedhin banesën e një qytetari. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se në pranga janë vënë Ervin Fejzullai, 26 vjeç, lindur dhe banues në Fier dhe E. B., 16 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për “vjedhje”. Vënia në pranga e këtyre personave është bërë pasi akuzohen për veprën penale “vjedhje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”. Dy të rinjtë, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në orët e para të mëngjesit të dy ditëve më parë kanë tentuar të vjedhin banesën e qytetarit me inicialet L. M. Por ata janë diktuar nga i zoti i shtëpisë, i cili ka njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu që kanë vënë në pranga dy të dyshuarit. Ata janë dërguar në ambientet e komisariatit ku janë marrë në pyetje. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Fierit.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›