E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksionet që dalin nga kriza ekonomike



Herman van Rompui

Unë dëshiroj të ndaj sot me ju disa ide rreth krizës aktuale të borxhit publik. Së pari: çfarë raportesh ka Bashkimi Europian me këtë krizë? Së dyti: cilat janë leksionet që dalin nga kjo krizë në aspektet e politikës ekonomike? Së treti: çfarë leksionesh dalin në aspektet politike në përgjithësi? Si vepron ajo për integrimin europian?
Duke dëgjuar disa komente, në njërin prej tyre mora një përshtypje se ne po jetojmë në krizën më të madhe që prej Luftës së Dytë Botërore; pse jo që prej Luftës së Parë. Javën e kaluar, një vëzhgues u kërkoi udhëheqësve europianë që të përdorin gjuhën çurçilliane të “gjakut, punës së rëndë, lotëve dhe djersës” për të nxitur një sens urgjence.
Mirë, por ajo nuk është tamam shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore… Ne nuk jemi në ditën e fundit të betejës monetare. Inflacioni verbal nuk do të na kthejë besimin. Është një mision politik për të mbajtur sensin e masës. Sigurisht, ne jemi në një moment kritik, që mund ta quajmë të “paprecedentë” dhe historik. Por krizat janë gjithmonë të paprecedenta dhe kjo është një pikëpamje e përgjithshme. Megjithatë, unë jam i gëzuar që BE ka qenë i aftë që të merret me të. Ajo mori kohë; koordinimi ishte i vështirë, por rezultatet kanë rëndësi.
Në gjykimin tim, BE, në mënyrë të arsyeshme, ka vepruar mirë. Ne u penguam, por nuk ramë. Dua të theksoj se gjatë procesit ne mbajtëm të gjitha angazhimet tona ndaj Greqisë. Më lejoni të rikujtoj faktet: Në muajin shkurt ramë dakord në parim që të ndërmarrim veprimin për të ruajtur stabilitetin e euros dhe të ndihmojmë Greqinë. Në muajin mars ne ramë dakord për mekanizimin. Ndodhi vetëm në prill, më datë 23, që për herë të parë Greqia të kërkojë mbështetje. Një javë më vonë, më 2 maj, u arrit një marrëveshje dhe një javë më vonë, më 7 maj, mekanizimi i mbështetjes nisi të bëhej efektiv.
Gjatë gjithë kësaj kohe Bashkimi Europian bëri atë që premtoi dhe kur ajo ishte e nevojshme.
Çfarë mësimesh mund të dalin nga kjo krizë në aspektet e politikave ekonomike?
Së pari, ne duhet që të arrijmë një disiplinë më të madhe buxhetore. Ne kemi rënë dakord rreth nevojës së forcimit të Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes. Shumë propozime janë mbi tavolinë. Ato janë përqendruar në aspektet e mbrojtjes dhe të korrektimit të Paktit. Unë nuk po jap këtu detaje, por ato përfshijnë paralajmërimin e procedurave më të forta dhe tipa të rinj sanksionesh. Objektivi i dytë është reduktimi i mosmarrëveshjeve në konkurrueshmërinë midis shteteve anëtare. Kjo është jetike, veçanërisht për zonën e euros. Pakti i Stabilitetit mbetet këndi i gurtë i koordinimit të politikës ekonomike europiane. Megjithatë, politikat e shëndosha buxhetore janë të nevojshme, por jo të bollshme për të garantuar konkurrueshmërinë. Ne e kemi ditur këtë që në fillim, por kjo krizë e çoi poshtë në pikë.
Objektivi i tretë: Ne na nevojitet një mekanizim efektiv i krizës për të qenë të aftë që të përballemi me probleme të tilla si ato që ekzistojnë sot në zonën e euros. Mekanizimi i përgjithshëm i krizës, që është vënë në zbatim dy javë më parë, do të funksionojë për tre vitet e ardhshme. Çështja është nëse dhe në cilat kushte ai do të zhvillohet? A do të jetë brenda një sistemi të fiksuar në mënyrë të vazhdueshme?
Objektivi i katërt: Ne kemi nevojë të forcojmë bashkëpunimin dhe koordinimin institucional për të qenë të aftë që të veprojmë më qetësisht dhe në mënyrë më efektive kur të shfaqen problemet. Në rastin e krizës greke ne ndërtuam një varkë shpëtimi në det, por me siguri ne nuk mund të ecim duke e improvizuar kështu. Për këtë unë kërkova që të vendosim propozimet mbi tavolinën e Task-Forcës për një koordinim më të mirë të aktorëve kryesorë.
Tani unë erdha te çështja e tretë dhe finale. Çfarë mësimesh dalin nga kriza në aspektet politike? Si vepron ajo për integrimin europian?
Në një farë mënyre qëndrojnë klishetë e vjetra: çdo krizë është një mundësi. Ajo krijon një mundësi për të vepruar. T’i bëjmë gjërat kur ne jemi në gjendje t’i bëjmë. Por, sërish, me një sens mase. Unë nuk besoj tek ata që janë duke brohoritur me një flamur europian dhe që pothuajse po u falen tregjeve që po detyrojnë Bashkimin Europian për të ndërmarrë një hap përpara rreth integrimit politik. Integrimi Europian nuk është një qëllim në vetvete. Për më tepër, po sikur të mos e kishim këtë krizë? Unë jam i sigurt se populli grek dhe taksapaguesit europianë janë dakord.
Megjithatë, tani që ne, si Bashkim Europian, jemi në këtë rrethanë, ajo që do të ishte e pafalshme është që të mos nxjerrim mësimet e duhura. Kjo është ajo për të cilën duhet të punojë Task-Forca.
Ne jemi përballur qartësisht me tensionin brenda sistemit, dilemën e famshme dhe të sëmurë të të qenit një bashkim monetar dhe që nuk është tamam një bashkim i plotë ekonomik dhe politik. Ky tension ka ekzistuar qëkur u krijua tregu i përbashkët monetar. Megjithatë, publiku i gjerë nuk ka qenë realisht i ndërgjegjësuar rreth tij.
Dilema mbetet e padukshme. Madje, askush nuk e tregon njeriun proverbial në rrugë që shpërndan një monedhë të vetme; nuk është duke i bërë tamam jetët e njerëzve më të lehta kur bën biznes apo udhëton rreth e rrotull, por gjithashtu, rreth të qenit i prekur direkt nga zhvillimet ekonomike te vendet fqinje.
Duke folur në aspektin monetar, të qenit në Eurozonë do të thotë të jesh pjesë e një “toke të euros”. Sot njerëzit po zbulojnë se ç’do të thotë në aspektet monetare një “fat i përbashkët”. Ata po zbulojnë se si ndikon euroja në pensionet e tyre, kursimet, punët dhe jetën e tyre të përditshme. Ajo lëndon. Në pikëpamjen time, rritja e ndërgjegjësimit të opinionit publik është një zhvillim madhor politik. Ajo i detyron qeveritë që të veprojnë.
Këshilli Europian ka për detyrë që të luajë një rol të rëndësishëm. Përveç Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane, ai është përgjegjës për qeverisjen ekonomike të Bashkimit Europian. Ashtu si dhe struktura ku shtetet anëtare apo qeveria e shteteve anëtare mblidhet për të marrë vendime për çështje të përbashkëta europiane, edhe Këshilli është posaçërisht i përcaktuar për t’i dhënë formë një gjendjeje të caktuar, për të gjetur daljen nga dilema mes nevojës për veprim të përbashkët dhe përgjegjësive kombëtare. Këshilli Europian mund të marrë përgjegjësinë për vendimet europiane para parlamenteve kombëtare dhe opinioneve publike jo në një nivel teknik, por në nivelin politik.
Në propozimet e para të shtruara në tavolinën e Task-Forcës, njëri prej tyre parashikon të pajtojë përpjekjet e tjera. Le të marrim idenë gjermane të integrimit të deficitit europian, rregulloreve të borxhit brenda legjislacionit kombëtar: kjo është një mënyrë për ta bërë më të qartë se rregulloret europiane nuk dalin “nga Brukseli”, - për pasojë, nuk janë kurbane të vockla, - por ato janë vetimponim për secilin shtet anëtar, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë.
E njëjta gjë e vërtetë është sugjerimi që ministrat e Financave të vendeve anëtare të mbajnë nën kontroll para parlamenteve të tyre programet e stabilitetit të partnerëve të tyre të Eurozonës. Kjo mund të ketë disavantazhe, por e bën të prekshme se brenda Eurozonës, politikat ekonomike dhe fiskale të partnerëve nuk janë thjeshtë çështje të politikës së jashtme dhe stilit të vjetër të diplomacisë financiare, por se ato janë në një farë mënyre çështje të brendshme.
Këto janë ndryshime inkurajuese.
Më lejoni të përfundoj me pikën më të rëndësishme. Ne nuk mund t'i zgjidhin problemet tona buxhetore pa një rritje të mëtejshme strukturore ekonomike. Pa një rritje të tillë ne rrezikojmë të shkojmë drejt një spiraleje negative. Në një periudhë afatshkurtër, përshpejtimi i konsolidimit fiskal vetëm do të ngadalësojë pak rritjen ekonomike.
Unë jam i bindur se edhe deficitet e ulëta do të rrisin besimin e konsumatorit dhe do të nxitin rritjen ekonomike. Për më tepër, strategjia “Bashkimi Europian 2020” mbetet absolutisht i rëndësishëm.
Strategjia fiskale ka për prioritete: “R&D”, inovacionin dhe arsimin. Ato janë çelësa kyçë për të ardhmen, për rritjen e konkurrencës. Prandaj udhëheqësit politikë do të përballen me një program të reformës në fushën buxhetore, si dhe në fushat social-ekonomike. E gjitha kjo nuk do të jetë e lehtë për të arritur, por është me rëndësi jetike.

*Shkrimi është marrë nga përmbledhja e fjalës së hapjes së Forumit Ekonomik 2010 “Leksione nga kriza” e zotit Herman van Rompui, president i Këshillit Europian
Përgatiti: Albert Gjoka

Gozhda e fundit e euros

Financial Times

Euroja po bie ndjeshëm. A do të thotë kjo se projekti i monedhës së përbashkët është afër fundit? Jo plotësisht. Në të vërtetë, nëse menaxhohet si duhet, zhvlerësimi i euros është ajo që do të rekomandonin mjekët, së bashku me reformat fiskale për të konsoliduar Greqinë dhe pjesën tjetër të Europës Juglindore. Duket si paradoks, por një euro e dobët është parakusht për mbijetesën e saj.
Tregjet jo gjithmonë veprojnë si duhet, nisur nga logjika e shëndoshë. Rënia e vlerës së euros në bursat ndërkombëtare ka ardhur më shumë nga frika, sesa nga të kuptuarit e faktit se zgjidhja qëndron te zhvlerësimi i euros.
Në periudha të tilla paqartësish, është detyrë e politikëbërësve që të përmirësojnë gjendjen e tregjeve. Përfituesit e parë nga euroja e dobët janë vendet në juglindje të kontinentit, të cilat e vunë në pikëpyetje të ardhmen monetare të Bashkimit Europian.
Greqia ka qenë në fokus, por edhe Spanja, Portugalia e Italia përballen me humbje të theksuar sa i përket aftësisë së tyre për të qenë konkurruese. Situata si kjo e Greqisë janë hasur dhe më herët. Sjellim këtu Irlandën e vitit 1982 dhe atë të vitit 1987. Në ’82-shin Irlanda zgjodhi t’i rrisë taksat dhe të shkurtojë ndjeshëm buxhetin - masa që rezultuan me thellimin e recesionit dhe të krizës.
Konsolidimi i buxhetit në vitin 1987 ndoqi të tjera rrugë, çfarë rezultuan pozitive për Irlandën dhe zhvillimin e saj ekonomik. Plani i shpëtimit i BE-së për Greqinë e sotme ngjan më shumë me planin e mirë të Irlandës së vitit 1987.
Nga ana tjetër, vende të tjera, si Italia e vitit 1990, apo Argjentina e vitit 2001, ia dolën të dilnin nga kriza të thella si pasojë e deficitit buxhetor. Problemi shtrohet sa hapësirë manovrimi ka Greqia duke qenë pjesë e euros.
Është e rëndësishme të theksohet se ka ende shumë vend për euron që të vazhdojë të zhvlerësohet përballë dollarit amerikan dhe monedhave të tjera të ekonomive në zhvillim.
Nga ana tjetër, ky zhvlerësim nuk do të ketë ndikim të madh negativ për Eurozonën, duke pasur parasysh që pjesa dërrmuese e shkëmbimeve tregtare bëhet brenda zonës. Përjashtim bën Greqia, e cila, për fatin e saj të mirë, pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare e ka me vende që nuk i takojnë Eurozonës. Kjo do t’i rriste eksportet greke, kurse rënia e euros do ta zvogëlonte borxhin grek.
Do të sillnim si shembull turizmin, ku një në çdo tre turistë në Greqi vjen nga vende që nuk i takojnë Eurozonës. Në këtë kuptim, zhvlerësimi i euros mund të përdoret si mjet rimëkëmbjeje për Greqinë.
Përfituesja e dytë e madhe nga rënia e euros do të jetë Gjermania, pasi 40% e eksporteve të saj janë jashtë Eurozonës. Kjo do t’i rriste eksportet gjermane, por dhe zonat më problematike brenda vendit sa i përket zhvillimit ekonomik.
Politikëbërësit duhet ta lehtësojnë zhvlerësimin e euros dhe jo ta parandalojnë atë. Në të kundërtën, ndërhyrjet e pamenduara të Bankës Qendrore Europiane mund të shërbejnë si gozhda e fundit në arkivolin e euros.

Materiali është marrë nga radioja “Europa e lirë”. Titulli është redaksional

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›