Klito Fundo: Si u mposht në Korçë mundësi “më i madh” i botës
12/01/2012 Rrëfimi, nderimi për kampionët, ironi për të vetëshpallurit si të tillë
KORÇE- “Kur isha i ri, dikush më tregoi një histori që kishte ndodhur në Korçë 13 vjet para lindjes time. Flitej për një njeri me emrin Pavllo Dopudia që e kishte shpallur veten si njeriu më i fortë i botës. Nuk e di pse ajo ngjarje më ka mbetur në mendje. Ndodh që këtë histori t’ua tregoj edhe të tjerëve. Më pëlqen ta rrëfej edhe për gazetën “Metropol”. Kështu e nis rrëfimin e tij, 73-vjeçari Klito Fundo, ish-mësuesi i gjuhë-letërsisë, poeti elegant i dashurisë, prozator dhe publicist i njohur. Shumë nga krijimet e tij nuk e panë kurrë dritën e botimit, sepse ai ishte nipi i Zai Fundos, por këtë pjesë të jetës së tij ai nuk ka dëshirë ta përmendë shpesh, sepse kanë qenë vite të trishtuara. Atë kohë e quan si një pjesë të varrosur të jetës së tij. Më së shumti i gëzohet asaj çka sjell e nesërmja. “Regjimi i diktatorit Hoxha ishte i vetëshpallur human”, kështu e përkufizon Klitoja. Ai vijon sërish rrëfimin e tij: “Ndoshta ka ndikuar edhe historia e Pavllo Dopudisë që unë gjatë gjithë jetës time të kem edhe shumë miq sportistë, boksierë, mundës, çiklistë, futbollistë, shtangistë etj, sepse edhe Dompudia sportist kishte qenë, porse ai ishte i vetëshpallur kampion. Çuditërisht, vetëshpallja ka diçka të frikshme, ndërsa rrënimi duket i pabesueshëm. Në çastin e rrënimit, rrënojat pyesin veten me belbëzim: “Si ndodhi kështu?!”
I panjohuri
“Pavllo Dopudia ishte shtetas jugosllav, vijon rrëfimin e tij, Klito Fundo. Kishte ardhur në Korçë për t’u ndeshur me njerëzit më të fuqishëm që kishte ky qytet. Kishte një trup tepër muskuloz që të ngjallte frikë. Kishte ardhur me dëshirën e tij. Askush nuk e kishte ftuar. Ishte një njeri i panjohur. Erdhi një ditë të ftohtë dimri, krejt papritur. “Dua të ndeshem me më të fortin e qytetit kishte thënë”. Se si përfundoi kjo histori do të ta tregoj më poshtë, por kjo ngjarje më nxiti që të interesohem edhe për sportistët që kishin lindur para meje. Shkrova edhe për jetën e tyre, por regjimi i asaj kohe, i cungonte krejtësisht. Ndjeja keqardhje. Çuditërisht, talenteve të asaj kohe gjithnjë u duhej të kalonin përmes peripecive të shumta. U trondita kur mësova jetën e futbollistit të shquar korçar, Teli Samsuri. Ai ishte futbollist i shkëlqyer, i papërballueshëm për portierët e kohës. Kishte luajtur gjatë viteve 1930-1940. Në vitin 1933, kur “Skënderbeu” u shpall kampion, Samsuri u cilësua golashënuesi më i mirë. Me fillimin e luftës ai iu bashkua asaj. U kap nga gjermanët dhe u internua në kampin famëkeq të Selanikut. Aty e ekzekutuan, por regjimi komunist e la tërësisht në harresë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, sigurimi i shtetit përhapi thashethemnajën sikur Teli Samsuri ishte gjallë dhe jetonte diku në Voltën e Sipërme, ose Brukina Faso, siç quhet sot. Thuhej se në këtë vend Samsuri mbante emrin Justin Osturno. Kishin shpikur edhe legjendën. Thuhej se të burgosurit e Selanikut i kishin hipur në një anije për t’i çuar në një vend tjetër, por anija ishte mbytur dhe të gjithë kishin vdekur, përveç Teli Samsurit që kishte dalë në Afrikë. Njerëzit e atij regjimi nuk u mjaftuan me kaq: nën emrin e Justin Esturnos, i dërgonin letra familjes së Teli Samsurit. Ai u thoshte se ishte gjallë dhe pyeste me emra për të gjithë shokët e tij. Për familjen e Samsurit ato kanë qenë vitet më të vështira. Përgjoheshin çdo çast e minutë. Legjenda çnjerëzore do të mbahej gjallë deri në vitin 1981, kur sigurimi i shtetit hoqi dorë nga ky inskenim dhe Teli Samsurin e shpalli dëshmor”.
Sportistët
“Korça gjithnjë kishte nxjerrë sportistë me emër të madh, por çuditërisht Pavllo Dompudia i kishte shpallur “luftë” një qyteti të tërë. “Unë jam këtu përpara jush, kishte thënë ai, kush është burrë le të dalë!”. Ndoshta nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një i çmendur. Ndërsa ma tregonin këtë histori, prisja me shumë kureshtje se cili do të ishte fundi i saj. Shpresoja që Dopudia të kishtë humbur në Korçë sepse për qytetin e Korçës sporti kishte qenë gjithnjë i adhuruar prej banorëve të saj. Më kujtohet Teni Frashëri, mësues i liceut, ai kishte qenë një nga organizatorët më të shquar të lëvizjes fiskulturore-sportive në Korçë e në mbarë Shqipërinë gjatë viteve ’20-’50. Kishte punuar edhe si trajner edhe si arbiter. Ishte një nga drejtuesit e shoqërisë “Shpresa” dhe më vonë i shoqërisë “Skënderbeu”. Frashëri ishte një nga fqinjët e mi. Si për të gjithë, edhe për Tenin do të vinin ditë të vështira. Fillimisht i arrestuan vëllain, Andon Frashërin, i cili ishte mik i ngushtë dhe sekretar personal i Fan Nolit. Pas kësaj do të vijonin peripecitë për gjithë njerëzit e kësaj familjeje. Me të njëjtin respekt kujtoj futbollistët Maqo Papargjirin, Stavri Kondilin, Lefter Bellovodën, Zeni Çelën mjeshtrin e pagabueshëm të penalltive, Viktor Prodanin, basketbollistin Ferdinand Qirici, çiklistin Mishel Cico. Koço Kërrëkun, por edhe mësuesin e fiskulturës Pandi Balli. Sigurisht që nuk mund t’i përmend dot të gjithë, sepse njerëzit e sportit janë të shumtë. E pra, në këtë qytet kishte mbëritur Pavllo Dopudia”, kujton Klito Fundo. Pas kësaj hyrje të gjatë, duket se për Klito Fundon ka mbërritur momenti për njeriun që e kishte shpallur veten si njeriu më i fortë i botës.
Pavllo Dopudia
“Ishte dimër dhe bënte shumë ftohtë, vazhdon të na tregojë, Klito Fundo. Bashkë me erën u përhap edhe një lajm i çuditshëm. Në qytetin e Korçës kishte mbërritur një mundës i pamposhtur. Ishte gati të ndeshej me këdo që i dilte përpara. Kishte arrdhur enkas për një sfidë të tillë. Me të mbërritur në Korçë kishte deklaruar: “Në çdo ndeshje vë 1000 korona për fituesin, kush ndihet burrë le të dalë!” Lajmi nuk erdhi vetëm si thashethemnajë: Revista “Shpresa” dhe gazeta lokale e asaj kohe, “Zëri i popullit” vërtetuan të gjitha ato që thuheshin. Emri i tij nisi të përmendej në rrugë dhe kafene. E quanin Pavllo Dopudia. Ai e kishte shpallur veten si njeriu më i fortë i Ballkanit, por pretendonte se ishte më i forti i botës. Ishte jugosllav. Gazetat dhe revistat shkruanin se ai kishte bërë shumë turne në Jugosllavi e kudo gjetkë në trevat e Ballkanit dhe kudo kishte marrë vetem fitore. I mjaftonte shumë pak kohë për të mposhtur kundërshtarin. Njerëzit nisën ta vështronin me kureshti dhe droje. Në raste të tilla, ai niste të demonstronte forcën e tij. Ngrinte mbi kokë hekura që peshonin 100 kg. Peshat e rënda i ngrinte jo vetëm me krahë, por edhe me dhëmbë. Ulërinte si i marrë. Ishte vërtetë një ujk i çmendur. Njerëzit filluan të mbeteshin me gojë hapur për të gjitha ato që bënte ai. Pavllo Dopudia i shtrëmbëronte edhe hekurat me dorë! Nëse do të dilte dikush që të matej më të, të gjithë do të shihnin një dyluftim të frikshëm. Kundërshtarit të Dopudisë nuk do t’i mbetej asnjë kockë e pathyer. Kush do të ishte vallë ai njeri që do të ndeshej me Pavllo Dopudinë e çmendur?
Petro Sturgji
Gjithkush vriste mendjen për të gjetur një njeri të fuqishëm. Dikush përmendi emrin e Petro Sturgjit. Në vitin 1923, Sturgji do të fitonte titullin kampion botëror në mundjen e lirë profesioniste për peshën e mesme. Petro Sturgji kishte emigruar që kur kishte qenë i ri drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Që në fillim Sturgji tërhoqi vëmendjen e trajnerëve amerikanë, të cilët e stërvitën me mjeshtëri. Mbas sukseseve të bujshme në Amerikë, Sturgji nisi të mendonte për gjerdanin e artë të kampionit të botës. Nuk do të vononte që këtë ëndërr ta shihte të realizuar. Pas fitores me mundësin e madh amerikan Terner, ai u ndesh me kampionin e botës. Tregojnë se ishte një ndeshje e fortë. Vazhdoi 2 orë e gjysmë. Britmat, ankthi, emocionet ishin të shumta. Më në fund, kampioni i botës, finlandezi Uajne Ketenen ishte mposhtur. Fitoren ia përshëndeti dhe Xhek Dejmsi, kampion i botës në boks në peshën e rëndë. Të dy i priti dhe presidenti i atëhershëm i SHBA-ve, Gulic. Lajmi mbërriti edhe në Shqipëri. Petro Strugji do të merrte pjesë edhe në Olimpiadën e vitit 1928 në Amsterdam, ndërsa do të zhvillonte më shumë se 100 ndeshje në Amerikë dhe në Evropë. Fama e Strugjit ishte e madhe, por ai nuk mund të vinte dot nga Amerika për t’u ndeshur me njeriun që po përhapte frikë dhe panik te banorët e Korçës. Nënkampion bote ishte shpallur edhe Islam Shabani nga Fitorja e Devollit, por edhe atë s’kishin ku e gjenin.
Rafail Dishnica
I famshëm do të ishte edhe emri i Rafail Dishnicës. Familja e tij kishte emigruar në Argjentinën e largët, kur Rafaili ishte ende i ri. Shquhej qysh i vogël për forcën dhe goditjen e fuqishme. I pëlqente boksi. Në vitet 20 të shekullit të XX, ai nisi të ndeshej midis të rinjve dhe gjithnjë dilte fitimtar. Talenti i tij tërhoqi vëmendjen e trajnerit të madh Migueles. E stërviti me përkujdesje të madhe dhe e vuri të ndeshej edhe me boksierët më të fortë të Argjentinës. Dhe Dishnica përsëri fitonte. Po ku ta gjenim Rafail Dishnicën, ai ishte shumë larg nga Korça! Më pas, Rafail Dishnica do të bëhej edhe më i famshëm. Tri herë radhasi do të fitonte titullin kampion i Argjentinës në peshën e mesme. Trajneri Migueles e futi në boksin profesionist, ku u ndesh me boksierët më të njohur në Argjentinë, në Brazil, në Uruguai, në Kili, në Bolivi, në Ekuador etj, dhe përsëri mori fitore. Ai do të fitonte në Rio de Zhaniero edhe titullin kampion të Amerikës Latine. Kjo do të ndodhte në vitin 1931, kurse Korçës i duhej tani një njeri i fuqishëm që të ndeshej me më të fortin e Ballkanit. Korça po ndihej vërtet në hall. I ardhuri nga Jugosllavia na kishte shpallur sfidë. Viti 1923 do të mbetej i paharrueshëm për korçarët.
Nasi Polena
“Pothuajse të gjithë kishin të njëjtin mendim: vetëm Nasi Polena mund të përballej me këtë njeri, por Nasi sapo ishte kthyer nga kurbeti dhe jetonte në Polenë. Ai edhe mund të mos tregohej i gatshëm, sepse e kishte deklaruar që kishte hequr dorë nga sporti. Nasi Polena kishte punuar si mundës profesionist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkuan në shtëpinë e Nasi Polenës dhe i treguan për Pavllo Dopudian. I treguan për forcën e tij, për hekurat që ngrinte me dhëmbë, për krahët e fortë e gjithçka tjetër, ndërsa më në fund e pyetën: “Do të vish të matesh me të”? “Kam kohë që nuk jam stërvitur, u përgjigj Nasi Polena, por megjithatë do të vij”. Ata që morën përsipër organizimin e ndeshjes përcaktuan çdo gjë deri në imtësi. Ndeshja do të zhvillohej në fundjanarin e vitit 1923, te lokali që shërbente si kazino në hyrje të pazarit të Korçës. Lajmi u dha sërish nga revistat dhe gazetat. Atë ditë e gjithë Korça do të ishte aty. Ishte një ndeshje vërtet e fortë. Banorët e Korçës ndiqnin lëvizjet e dy njerëzve me gjak të ngrirë. Nasi Polena edhe mund të mos dilte i gjallë nga ajo përballje, por nuk ndodhi ashtu. Erdhi një çast që Nasi Polena e vuri poshtë njeriun më të fortë të Ballkanit, pretendentin për kampion bote. U vendos që të bëhej dhe një ndeshje tjetër. Edhe në ndeshjen e dytë Pavllo Dopudia e pa veten poshtë kundërshtarit të tij. E vetmja fjalë që tha humbësi, ishte belbëzimi: “Nuk e prisja…!” Pastaj, duke ikur, Dopudia kishte thënë se një ditë do të vinte prap녔
Epilog
Edhe pse Pavlo Dopudia kishte thënë se do të vinte përsëri, nuk u pa më. Në vitin 1937, kampioni i Amerikës Latine, Rafail Dishnica (Gërnjoti), u kthye në Korçë. I kishin propozuar të merrte nënshtetësinë argjentinase, por nuk pranoi: “Jam shqiptar dhe i tillë do të mbetem deri në fund”, ishte përgjigjja e tij para gazetarëve. Madje kishte vënë si kusht që në afishet e ndeshjeve të shkruhej “Rafail Dishnica nga Shqipëria”.. U martua dhe pati 7 fëmijë. Katër djemtë Leonidhën, Ilian, Dhorin dhe Thimin i bëri boksierë. Në vitin 1960, në Korçë u kthye edhe kampioni i botës në mundjen e lirë profesioniste, Petro Sturgji, por edhe ai u la i harruar. Sa herë që i kujtoj të gjitha këto, nuk e di pse më kujtohet Pavllo Dopudia, që i kishte shpallur luftë gjithë botës sepse ishte vetëshpallur i pamposhtur, por që në momentin kur e pa veten poshtë kundërshtarit, belbëzoi i habitur: “Si ndodhi kështu!” Me këto fjalë i dha fund rrëfimit të tij, poeti dhe prozatori Klito Fundo.