BE: Kërkesa për statusin kandidat, varet nga zgjedhjet
Ministri i Jashtëm këmbëngul se, kërkesa duhet bërë brenda presidencës çeke, ndërsa Komisioni Europian kujton se, zgjedhjet, mbeten kushti thelbësor për integrimin
TIRANË- Aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, duket se nuk do të jetë i afërt.
Edhe pse ministri i Jashtëm, Lulzim Basha ka këmbëngulur që kërkesa për statusin e vendit kandidat të bëhet brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerim, Kristina Nagi, ka përsëritur se kushti kyç për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, mbeten zgjedhjet sipas standardeve ndërkombëtare. Qëndrimi i zëdhënëses Nagi u mbajt pas takimit që ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi në Bruksel me Komisionerin për Zgjerim, Olli Rehn."Qeveria shqiptare bëri një zgjedhje shumë të mençur për të mos u nxituar me aplikimin për statusin e vendit kandidat.
Qeveria ftohet të koordinojë këtë lëvizje me Presidencën e BE-së, me vendet anëtare dhe me Komisionin Evropian", - tha Kristina Nagi, zëdhënësja e komisionerit Rehn.
Ajo theksoi se, për Shqipërinë, si për të gjitha vendet e tjera, nevojiten dëshmi konkrete dhe të kënaqshme në zbatimin e detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përfshirë masat tregtare të saj, si element thelbësor për konsiderimin e ndonjë aplikimi të mundshëm.
"Së fundmi, garantimi dhe zhvillimi i duhur i zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, në përputhje me standardet ndërkombëtare, është një kusht kyç për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së",- tha Nagi.
Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka deklaruar se, presidenca çeke mbetet momenti më i favorshëm për të kërkuar statusin e vendit kandidat. "Shqipëria nuk demonstron ngërç, as stanjacion, as nervozitet për të përshpejtuar në mënyrë të panatyrshme një proces, baza e të cilit është suksesi i reformave.
Qeveria Shqiptare, Kryeministri shqiptar, e kanë bërë të qartë pozicionin e tyre. Ne e shikojmë gjashtëmujorin e presidencës çeke si një periudhë jashtëzakonisht të favorshme për të hedhur hapin tjetër në drejtim të integrimit të mëtejshëm të vendit",- tha Basha pas takimit të zhvilluar.
Ministri i Punëve të Jashtme shtoi se, gjatë takimit nuk është diskutuar për dosjet, edhe pse dihet qëndrimi i BE-së për këtë çështje."Diskutimi ka qenë shumë i frytshëm me Komisionerin Ren. Realisht nuk është folur për ligjin e lustracionit. Por, qëndrimi i Komisionit Evropian për këtë ligj është i qartë.
Po kështu, është i qartë edhe qëndrimi i qeverisë shqiptare që u demonstrua me qëndrimin ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ne do të vazhdojmë në respekt të shtetit ligjor të ndjekim këtë proces, i cili është i domosdoshëm, jo vetëm për të kaluarën, por ç'është më e rëndësishmja, edhe për të ardhmen e shoqërisë shqiptare",- vijoi Basha.
Ndërkohë sot ministri i Punëve të Jashtme Basha do zhvillojë takimin vjetor me Trojkën e BE-së në kuadër të dialogut politik Shqipëri-BE, ku do të diskutohet gjerësisht për ligjin e lustracionit dhe ku do të vendoset përfundimisht për shtyrjen ose jo të kërkesës për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian.