E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bankat të kreditojnë bizneset eksportuese"

Fullani ul në tryezë bankierët dhe eksportuesit, për të nxitur bashkëpunim dhe marrje konsulence nga sektori kreditues

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kërkon nga bankat që të rrisin kreditimin për bizneset e eksportit


TIRANË - Vetëm disa ditë pasi përfaqësuesit e biznesit të tekstileve i bënë thirrje qeverisë për marrjen e disa masave për të përballuar efektet e krizës ekonomike globale, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u kërkoi bankave tregtare në vend, që të jenë më dorëlëshuara në kredidhënie për bizneset eksportuese. "Vlerësojeni me kujdes rolin e fuqishëm që kanë bizneset eksportuese, rishikoni politikat tuaja të komisioneve dhe jepini përparësi financimi më të madh të tij", - u tha dje guvernatori përfaqësuesve të bankave, në takimin që zhvilloi me ta dhe me përfaqësues të bizneseve eksportuese. Një pjesë të konsiderueshme të fjalimit të tij, Fullani ia kushtoi zhvlerësimit që po njeh kohët e fundit monedha vendase, si një tregues i qartë i uljes së eksporteve dhe të dërgesave të emigrantëve në vend. "Sektori i eksportit përbën burim të rëndësishëm fitimi dhe fluksesh valutore për ndërmjetësimin financiar në valutë. Nga ky këndvështrim, mbështetja e eksportuesve nga sektori financiar, jo vetëm me produkte dhe burime financiare, por edhe me konsulencë financiare, është një aktivitet me përfitim dypalësh", - tha ai. Duke i bërë një analizë të asaj çka po ndodh në ekonomitë në zhvillim, siç është edhe vendi ynë, ai konfirmoi faktin se, të ndikuar nga zhvillimet ekonomike në vendet e tyre, kompanitë e mëdha, ndodhen nën presionin e tërheqjes së investimeve nga këto vende, duke ndikuar në një rënie të sasisë së valutës. Në kushtet kur vendet e Evropës dhe, kryesisht, vendet ku eksportohen mallrat shqiptare, janë duke kaluar turbullira ekonomike, Fullani u ka kërkuar bizneseve eksportuese në vend që të bëjnë përpjekje për të qenë më krijues, duke zbuluar tregje të reja, jashtë atyre tradicionale, tashmë të prekura nga kriza. Më prekjen nga kriza të vendeve ku shkojnë eksportet shqiptare, vërehet një ulje e ndjeshme e tyre gjatë muajve të fundit. Më e prekur nga kjo dukuri është industria e tekstileve, e cila vetëm për muajin 2007, ka përbërë 55 për qind të totalit të eksporteve shqiptare. Gjatë muajit dhjetor 2008, nga Shqipëria janë eksportuar 30 milionë dollarë mallra më pak se muaji i mëparshëm. Industria e tekstileve numëron rreth 100 mijë punonjës, duke përbërë numrin më të madh të të punësuarve në vend.


"Sektori i eksportit përbën burim të rëndësishëm fitimi dhe fluksesh valutore për ndërmjetësimin financiar në valutë"


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›