Klodian Duro, kumbar i miqësores Tirana - Instambulspor

Albania-Sport (AS)- Klodian Duro, futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe mesfushori i njohur i rekordmenëve dhe kryesuesve të kampionatit shqiptar, Tiranës, tashmë po e shohim dhe në një rol të ri, gjithsesi të suksesshëm. 29-vjecari Duro, i cili shënoi golin që i dha fitoren e Kupës së Shqipërisë Tiranës, ka arritur që falë njohjeve të tij personale, por dhe të gjuhës turke t'i sigurojë një miqësore ekipit të tij Tirana me Instambulspor. "Natyrisht që nuk ishte e lehtë menaxhimi i kësaj miqësoreje, por falë emrit që gëzon Tirana në ambientin futbollistik turk dhe njohjes së gjuhës turke, por me lëjoni të them edhe të respektit që vazhdojnë të rruajnë ende për mua në Turqi, u arrit fiksimi i kësaj miqësoreje", pohoi ekskluzivisht për albania-sport.com, Duro, i cili pas largimit të Hamdi Salihit në Austri te SK Ried dhe spostimit të kapitenit Devi Mukaj në sulm, do të luajë rolin e plejmejkërit, skemë që trajneri Shkëlqim Muca do ta aplikojë gjatë fazës përgatitore dy javore në Turqi.
Miqësorja tashmë e konfirmuar do të zhvillohet në Kemer të Turqisë më datën 18 janar 2007, gjatë periudhës përgatitore të bardhebluve. Instambulspor luan këtë sezon në Liga A (kategoria e dytë turke) dhe ndodhet në vendin e gjashtë me 29 pikë në 17 javët e zhvilluara, me 10 pikë më pak se kryesuesja Gensibirlixhi (39 pikë).
Klodian Duro, një të përkëdhelurit e trajnerit Oto Baric, sa herë që ky ka qenë në Shqipëri, ka luajtur me disa ekipe në Turqi me Gaziantepspor, Galatasaray, Malatyaspor dhe Caykur Rizespor si dhe në Gjermani me Arminia Bielefeld. Në Shqipëri, Duro ka luajtur me ekipet me të mëdha të futbollit tonë: Elbasanin, Vllazninë, Partizani dhe Tiranën.
Me Instambulspor ka luajtur edhe golashënuesi më i mirë i përfaqësueses kuqezi, Alban Bushi.
Dash Frashëri