E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato, një sfidë për boksin profesionist shqiptar

Ai është i vetmi boksier profesionist, për momentin, që ka Shqipëria, dhe, prapëseprapë, ai e ka gjetur veten në pozicionin e pazakontë e atij të duhet të bindë të tjerët për aftësitë e tij dhe nivelin e veprimtarive ku ai merr pjesë. Gjithsesi, sikundër ka bërë deri më tani në jetën e tij, ai ka ecur përpara pa u preokupuar edhe aq për atë që mendojnë të tjerët, duke ngjitur shkallët e karrierës në një sport të vështirë dhe konkurrues sic është boksi. Kreshnik Qato përgatitet tashmë për betejën e 3 marsit 2007, kundër rusit Aleksandër Zajcev, i ndërgjegjshëm se ka bërë një hap të madh në ring dhe i lumtur që një veprimtari e një niveli kaq të lartë do të zhvillohet në Shqipëri.
Në fakt, ai thekson se një nga problemet me të cilat ai përballet, është ai i perceptimit të boksit. "Boksi sot (dhe këtu e kam fjalën për atë profesionist), është më tepër një ndërthurje e biznesit me sportin, cka e ka bërë atë tërheqës për reklama dhe, si rrjedhojë, për të ardhura të larta financiare, - sqaron Qato duke folur ekskluzivisht për gazetën "Standard". - Kjo shpjegon edhe faktin që, për momentin, janë mëse 20 federata apo shoqata ndërkombëtare boksi, të cilat luftojnë për supremaci, ku spikatin WBA, WBO, WBC, WBF, IBO, IBO dhe EBU. Në fakt, kjo i fundit është edhe federata ku unë aderoj."
"EBU-ja është European Boxing Union (Federata Evropiane e Boksit), e cila ka qendrën në Spanjë dhe ku unë jam i vetmi i regjistruar si boksier profesionist nga Shqipëria, - vijon më tej për "Standard", boksieri 29-vjecar, i lindur në Durrës, i gjatë 1.79 m dhe që peshon 76.2 kg. - Kjo më bën që të ndjehem krenar që, më 3 mars 2007, në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi", unë t'i tregoj shqiptarëve dhe botës se jam shqiptar dhe krenar për vendin tim, vecanërisht duke patur parasysh se të pranishëm atë mbrëmje në Tiranë do të jenë presidenti i EBU-së, Bob Loxhis, dhe Sekretari i Përgjithshëm i EBU-së, Enzo Xhakopone. Ky është padyshim një vlerësim për "mecin" tim të 3 marsit."
Qato sqaron për gazetën se, në programin e 3 marsit 2007, në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" në kryeqytet, do të zhvillohen 5 ndeshje, duke filluar nga ora 18:00 pasdite, nga të cilat ajo e tij me rusin Zajcev është më e rëndësishmja. "E gjithë kjo është një sipërmarrje mjaft e rëndësishme dhe, ashtu si dhe më parë, unë gjej rastin të falënderoj sponsorin tim, Ylli Ndroqin, dhe kompaninë e tij, "Yldon" Sh.p.k., - thekson ai. - E kam theksuar edhe më parë se sponsori im, "Yldon sh.p.k", është ajo cka i duhet një sportisti për të pasur sukses, pasi është merita e kësaj kompanie, e cila më bën të mundur plotësimin e anës materiale si dhe të dietës sportive."
Më tej, Kreshniku thotë: "E vlerësoj shumë z. Ylli Ndroqi, pasi është gjithnjë në kontakt me mua për t'u interesuar për përgatitjen time si dhe për të më ngritur moralisht. Sepse duhet të kuptoni që për një sportist, që të ketë sukses, duhet që të ndiqet në mënyrë sistematike si dhe të stimulohet, dhe z. Ylli Ndroqi është një shembull për t'u përgëzuar si dhe për t'u ndjekur edhe nga biznesmenët e tjerë në lidhje me sportin shqiptar. Në fakt, përpjekjet e tij për evenimentin e fillimit të marsit janë të admirueshme, edhe për vetë faktin se nuk është e lehtë të organizosh një veprimtari të këtij niveli dhe këtyre përmasave."

Detaje personale:
Emri: Kreshnik
Mbiemri: Qato
Vendlindja: Durrës
Datëlindja: 13/08/1978
Pesha: 76.2 kg
Gjatësia: 1.79 cm

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›