E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çollaku: Në Olimpiadë, rezultat surprizë

Nga Aida TUCI
Dorian Collaku (ne foto me bluze te bardhe) është i vetmi atlet që shkon për herë të dytë në Lojërat Olimpike me normën B të kualifikimit. Edhe në Lojërat Olimpike "Athinë 2004", aty ku Collaku u përfaqësua për herë të parë, pati meritën e përfaqësimit me normë kualifikimi. Të njëjtën meritë ka edhe në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Pikërisht në Espoo në vitin 2007, hedhësi i cekicit arrin dhe suksesin e kualifikimit për në Lojërat Olimpike. Ndërsa një vit më vonë në Espoo të Finlandës, aty ku dhe jeton, Collaku thyen dhe rekordin kombëtar në hedhje cekici me rezultatin 76.96m, të mbajtur prej 22 vjetësh nga ish-atleti Ajet Toska. Dy vitet e fundit duhet thënë se kanë qenë vitet më të suksesshme të atletit shqiptar, që tashmë është në moshën 32-vjecare.
"Klubi "Dinamo", aty ku u brumosa si sportist"
Për herë të parë ka tentuar ta hedhë cekicin në moshën 10-vjecare. Ishte viti 1987, kur trajneri i hedhjeve, Vaso Selenica, pikas djaloshin e vogël dhe të talentuar. "Gjithcka që kam arritur në fushën e sportit pa dyshim që është dhe meritë e trajnerit tim, Vaso Selenica,"- shpreh mirënjohjen e tij Dorian Collaku. Kështu, shumë i ri nis të marrë titujt kampionë kombëtarë për moshat, për të ardhur tek të rriturit, kur për gati 12 vjet rresht është kampion absolut i hedhjes së cekicit. Është fitues i disa medaljeve ndërkombëtare, por kulmi i karrierës së tij do të shënohej pikërisht në vitin 2008, kur arrin të thyejë rekordin e hedhjes së cekicit, që për vite me radhë nuk arrihej nga asnjë atlet shqiptar.
"Në Olimpiadë, i barabartë më të tjerët"
"Unë dua të shkoj në Lojërat Olimpike të Pekinit si një sportist i i kohëve moderne. Dua të jem i barabartë më kundërshtarët,"- shprehet Dorian Collaku, i cili pas kaq vitesh sport është shumë i zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes nga shteti. "Olimpiada është një aktivitet shumë i rëndësishëm për mua dhe për të gjithë sportistët pjesëmarrës. Por gjatë gjithë këtyre viteve objektivi im kryesor ka qenë thyerja e rekordit kombëtar në hedhjen e cekicit, rekord që për 22 vjet nuk arrihej dot nga asnjë sportist. Këtë objektiv e realizova para olimpiadës dhe them që atë rezultat që do të mund të jap në olimpiadë do të jetë surprizë edhe për mua. Kam objektiv kryesor të shkoj sërish te rezultatet e mia. Këtë shpresoj dhe në Lojërat Olimpike të Pekinit,"- thotë Collaku, i cili duket se i ka bërë shumë mirë llogaritë e veta.
Ai shprehet se, nëse arrin të thyejë sërish rekordin e hedhjes, do të ishte një tjetër sukses. Por tani për tani mjaftohet me faktin që ai është rekordmeni i ri i hedhjes së cekicit. "Sigurisht që këtë rezultat që kam arritur nuk do të mund ta arrija kurrë pa trajnerin tim, Vaso Selenica, si dhe pa ndihmën e madhe të familjes sime. Kam shpresa që edhe në olimpiadë të arrij rezultat të lartë, pasi rezultatet e mia kanë qenë gjithmonë në rritje,"- thotë Collaku.
Në olimpiadën e hedhjeve, zhvilluar në Maltë në vitin 2005, ai arrin rezultatin 72.20 metra. Në Hungari, një vit më vonë, shkon në 74.41 metra, dhe renditet në vendin e dytë me medalje argjendi. Me këtë rezultat ai kap normën e përfaqësimit në Lojërat Olimpike "Athinë 2004". Më 2007, në Espoo të Finlandës, shkon në shifrat 75.20m, duke synuar rekordin kombëtar të mbajtur prej 22 vjetësh nga Ajet Toska. Me këtë rezultat ai kap për të dytën herë normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Dhe në fund arrin objektivin e tij të madh, thyerjen e rekordit kombëtar më 22 qershor 2008 po në Espoo të Finlandës me 76.96 metra.
Vëllai, menaxheri i atletit
U largua drejt Finlandës me synimin për të gjetur kushte më të mira dhe përkrahje për të ushtruar sportin e tij. U largua për një jetë më të mirë. Ishte pikërisht vëllai i tij, Sokoli, që e lidhi me një ekip atletike, aty ku është dhe sot e kësaj dite atleti shqiptar.
"Po, vëllai im, Sokoli, ka qenë njëkohësisht edhe menaxheri im në Shqipëri. Ai ka qenë gjithmonë lidhja ime e vetme mes Finlandës dhe Shqipërisë. Por mund të them se në Finlandë unë arrita të realizoj atë që shumë sportistë nuk do kishin marrë as mundimin ta bënin, thyerjen e rekordit kombëtar, arritjen dhe tejkalimin e të gjitha normave të veprimtarive të mëdha sportive dhe medaljet e rezultatet e larta në vite. Vetëm atje mund t'i arrija këto rezultate dhe asnjëherë në Shqipëri. Përkundrazi, në vendin tim asnjëherë nuk kam gjetur mbështetjen dhe përkrahjen e institucioneve sportive gjatë karrierës si sportist."
Por... kë zgjedh mes Finlandës dhe Shqipërisë?
Fakti që në dy olimpiada ai veshi uniformën kuqezi, do të thotë se ka zgjedhur Shqipërinë. Asnjëherë nuk është penduar për këtë zgjedhje, edhe pse ka humbur mundësi shumë më të mira. Gjatë viteve të gjata të qëndrimit të tij në Finlandë ka pasur oferta për të ndryshuar flamurin, por sic shprehet dhe ai vetë, gjithmonë ka pasur shpresë se gjërat do rregulloheshin në vendin tij, Shqipërinë. "Unë jam shqiptar dhe, të them të drejtën, nuk ndihesha fare mirë kur shikoja Mirela Manjanin apo Pirro Dhimën që u gëzoheshin medaljeve nën ngjyrat e një flamuri tjetër. Por sot e them me bindje se nëse ata nuk do të kishin zgjedhur një flamur tjetër, kurrë nuk do të kishin arritur te medaljet. Do kishin qenë këtu ku jam unë, që me sakrificë arrij të kap normën e kualifikimit në një olimpiadë dhe që shteti im nuk më vlerëson aspak për rezultatet që kam arritur,"- shpreh zhgënjimin e tij të thellë Dorian Collaku.
Edhe tani, në këtë moshë, ku thuajse është në fund të karrierës së tij, ai shprehet se ka sërish oferta nga Finlanda, "Kam oferta për postin e trajnerit në ekipet kombëtare të Kenias dhe Nepalit. Aktualisht unë e ushtroj profesionin e trajnerit me ekipin e hedhjeve në klubin tim sportiv "Epoon Tapiot" dhe kam dhënë rezultate me këtë ekip. Por dikur kam pasur oferta për të garuar për Turqinë, Greqia, Suedinë dhe Norvegjinë."
Sipas kushteve kërkoni dhe rezultatet
Ai stërvitet dhe jeton në Finlandë prej 10 vitesh, aty ku mori gjithcka që i kishte munguar në Shqipëri. "Shkoj cdo ditë në palestër dhe, sa herë që shkoj për gjithë këto vite, dëshpërohem kur kujtoj palestrën tonë te klubi "Dinamo". Kushtet që na rrethojnë ne sportistëve të dy vendeve janë krejt të ndryshme. Unë kam lindur në Shqipëri dhe kam qenë krenar për veten time në cdo garë që kam marrë pjesë, por nuk jam aspak krenar kur shoh se në cfarë kushtet stërviten atletët shqiptarë dhe jo vetëm ata, por të gjithë sportistët shqiptarë. Kur bëj krahasimin me kushtet që janë këtu, më vjen të bërtas me të madhe,"- shpreh dëshpërimin e tij rekordmeni shqiptar i cekicit.
Pikërisht për këto arsye, Collaku nuk iu përgjigj grumbullimit të ekipit tonë olimpik. "Unë nuk mund të vij në Shqipëri për të kryer fazën përgatitore në prag të Lojërave Olimpike, pasi së pari kushtet që ofrohen në Shqipëri nuk u përgjigjen kushteve që kërkoj unë si sportist. E dyta, nuk mund të shkëputem nga puna, pasi puna ime në portin e qytetit me ndihmon të mbijetoj në sport. Për këtë arsye, do t'i bashkohem ekipit olimpik vetëm në Pekin, pikërisht më datën 5 gusht, pak ditë para fillimit të garave. Por ndërkohë trajneri im, Vaso Selenica, ka ardhur në Finlandë dhe kemi zhvilluar stërvitje 10-ditore intensive, që vazhdimin do ta ketë edhe në Pekin,"- përfundon atleti.
Dorian Collaku
Datëlindja 02.06.1977
Vendlindja Tiranë
Sporti Atletikë (hedhje cekici)
Gjatësia 184cm
Pesha 115kg
Rezultatet: Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike "Athina 2004"
2008 - Në Espoo të Finlandës rezultati 76.96m
2007 - Espoo Finlandë 75.20m, Kampionati Botëror Osaka 68.30m
Pjesëmarrja në "Pekin 2008": Me kualifikim të kategorisë B me rezultatin 75.20m
Objektivi në "Pekin 2008": Objektivi të shkojë në shifrat e rekordit kombëtar 76.96m

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›