Marrëveshja e G20 jep 1.1 trilion dollarë për ekonominë
Krerët e 20 vendeve më të industrializuara të botës kanë arritur dje një marrëveshje 1.1 trilion dollarësh për të luftuar kundër krizës më të keqe ekonomike që nga koha e “Depresionit të Madh”, në vitet ‘30 dhe kanë kërkuar forcimin e rregullave për të ndaluar rikthimin e kësaj krize. Takimi u hap nga presidenti amerikan Barak Obama, i cili i minimizoi dallimet mes vendeve në takimin e nivelit të lartë, duke kërkuar një “pikë kthese” për ekonominë botërore. “Ne kemi rënë dakord për një seri hapash për të rivendosur dhe për të parandaluar rritjen e një krize si kjo”, tha Obama. Në takimin e G20, udhëheqësit ranë dakord për të publikuar një listë të zezë të të ardhurave të patatimuara, që mund të çojë në sanksione. Për këtë kanë këmbëngulur fort Franca dhe Gjermania, si dhe për të vënë në mbikëqyrje më të mëdha fondet dhe kreditë në agjencitë e vlerësimeve. “Sot nis marrëveshja për të goditur rebelët në tregjet financiare, që kanë sjellë tregjet globale në një gjendje kaotike”, tha kryeministri australian Kevin Rudd. Tregjet e kanë pritur mirë lajmin, ndërkohë që ekonomia globale është për herë të parë në nivelin e më të keq, që prej Luftës së Dytë Botërore. Kryeministri britanik Gordon Braun, i cili ka qenë vendi bujtës i samitit, tha se qeveritë kanë arritur një marrëveshje që 5 trilionë nga stimujt publikë të shkojnë për ekonominë gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm. Për marrëveshjen 1.1 trilion dollarësh, Braun tha se udhëheqësit e G20 do t’i vinin në dispozicion për të ndihmuar ekonominë botërore nëpërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera. Kjo përfshinte 250 miliardë dollarë të njësive rezervë të quajtur Special Drawing Rights të FMN-së. Përveç kësaj, FMN-ja do të trefishojë burimet e veta me deri në 500 miliardë dollarë fonde të reja, nga të cilat 40 miliardë dollarë do të vinin nga Kina. Pjesa më e madhe e tyre ka gjasa të shkojnë në vendet e varfra, veçanërisht në Evropën Lindore. Në takimin e nivelit të lartë të tregtisë u deklarua se do të financohet një paketë me vlerë 250 miliardë dollarësh për më shumë se dy vjet për të mbështetur rrjedhat e tregtisë globale, të cilat kanë rënë nën ndikimin e kreditimeve të këqija, duke i dhënë një rritje të madhe të botës eksportit. Pas takimit në Londër, kryeministri britanik, Gordon Braun tha se vendet e G20-ës po i zbatojnë stimulet më të mëdha ekonomike në histori. “G20 do të shpenzojë 5 miliardë dollarë në ekonomi përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera deri në fund të vitit 2010. Të gjitha fondet do të vendosen brenda rrjetit rregullator, duke iu dhënë fund strehëve të sigurta të fondeve të patatimuara”, tha Braun. Liderët e G20 ranë dakord se fshehtësisë së bankave duhet t’i vijë fundi dhe janë pajtuar gjithashtu për rregulla të reja për pagat dhe bonuset. Tregjet botërore kanë reaguar pozitivisht për lajmin.
FMN shet 403 tonë flori për ndihma
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka në plan të shesë 403 tonë flori për të mbledhur fonde për të mbështetur vendet më të varfra të botës. Njoftimi bëri që çmimi i floririt të bjerë menjëherë në treg me 2.2 për qind. FMN-ja ka pasur në plan për të shitur arin që në vitin 2007 për të forcuar bilancin e saj. Por ky plan duhet të miratohet nga 85 për qind e 185 vendeve anëtare, proces që pritet të përfundojë pas një viti.
Samiti i ri brenda 2009-ës
20 vendet më të industrializuara të botës do të mbajnë një samit të ri kundër krizës brenda këtij viti. Njoftimi u bë nga kryeministri britanik, Gordon Brown, në fund të takimit. Pritet që samiti i ardhshëm i G20 do të mbahet në Nju Jork, ndoshta në muajin shtator, përveç takimit që do të zhvillojë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Stop parajsave fiskale
Liderët e G20-ës kanë rënë dakord për t'i dhënë fund parajsave fiskale, që do të thotë se asnjë bankë e asnjë vendi të botës nuk do të lejohet të mbajë informacione të fshehta mbi pasurinë dhe prejardhjen e saj për të gjithë klientët. Sipas kryeministrit britanik, Gordon Brown, do të ketë sanksione kundër vendeve që nuk japin informacionet e kërkuara. Lista e parajsave fiskale do të publikohet së shpejti nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik.
Londër, vdes një protestues
Një nga manifestuesit ka vdekur një ditë më parë gjatë protestave në Londër, duke hapur polemika mbi ndërhyrjen e dhunshme të policisë londineze. Por sipas gazetës britanike "The Times", protestuesi 30-vjeçar ka vdekur për shkaqe natyrale. Deklarata është bërë nga një tjetër protestues, i cili ndodhej pranë 30-vjeçarit në momentin që ai ka rënë në tokë. Sipas policisë së Londrës, vetëm para fillimit të samitit janë arrestuar 86 persona.
Sarkozi: U kaluan parashikimet
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se rezultatet e grupit të 20 vendeve udhëheqëse industriale, të cilat u zotuan të rregullojnë krizën financiare dhe të riparojnë mbikëqyrjen e tregut, ishin "përtej parashikimeve të tij". "Ne kurrë nuk do të kishim shpresuar të merrnim më shumë se sa morëm nga ky takim. Kjo nuk është fitore e një kampi kundër një tjetri, por tregon rritjen e vetëdijes se bota duhet të ndryshojë", tha Sarkozi.