E Diel, 1 Nëntor 2026

Klononin kartat e bankomateve, 5 bullgarë të arrestuar

Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë: Dragomir Ivanov Bonev (35), Ivo Dimitrov Ivanov (37), Pavel Vladimirov Milenov (31), Nikolay Yordanov Tosonev (33) dhe Aleksandar Kolev (38), të pestë banues në Sofje të Bullgarisë.

Arrestimi i tyre është bërë pas një hetimi intensiv disamujor, ku rezultoi se ky grup ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe me pajisje elektronike të prodhuara në mënyrë artizanale, të modifikuara si pjesë të bankomatit, kanë kopjuar të dhënat e kartave të debitit dhe kreditit në disa bankomate të qyteteve të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës.

Këto të dhëna janë përdorur më pas për të prodhuar karta bankare të klonuara, me qellim për të tërhequr para në mënyrë të paligjshme.
 
Sipas njoftimit të policisë së shtetit, tre nga personat e arrestuar u kapën në flagrancë duke përgatitur pajisjet kompjuterike për klonim të kartave bankare, në një dhomë të një hoteli në qytetin e Durrësit, ndërkohë që dy të tjerët po largoheshin nga vendi ynë nëpërmjet një pike kalimi kufitar.

Nga hetimet rezulton se ky grup ka mundur të kryejë një sërë sulmesh të suksesshme me karta bankare të falsifikuara në bankomate të bankave të nivelit të dytë në Tiranë, përgjatë muajve maj-korrik 2011. Gjatë kësaj periudhe ata kanë kryer mbi 100 transaksione me vlerë rreth 150 000 euro.
 
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe tre copë pajisje kompjuterike "Skimmer", që shërbejnë për klonimin e kartave, me logo të bankave, 2 mikrokamera dixhitale për regjistrimin e kodeve PIN, 2 kamera dixhitale për fotografimin e bankomateve, dhjetëra karta plastike me shirit magnetik me të dhëna të kartave bankare të vjedhura, 3 kompjuter "Laptop" që kanë shërbyer për programimin e këtyre të dhënave, 2 makina, 5 celularë, si dhe një shumë prej 1 000 eurosh. /Start/

                                                                                             2011-08-02 13:48
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›