E Diel, 1 Nëntor 2026

Klose zgjedh Lacion, gjermani firmos për dy vjet

ITALI- Miroslav Klose është tashmë një futbollist i Lacios. Sulmuesi gjerman ka lënë Bajernin e Mynihut, duke kaluar në klubin e kryeqytetit italiaj, pikërisht në ditën e ditëlindjes së tij të 33-të. Ai ka firmosur një kontratë dy vjeçare, me opsion për një të tretë, ndërkohë që do të përfitojë rreth 2 milionë euro në sezon. Marrja e Kloses ka gëzuar edhe trajnerin Edi Reaja, që kërkonte një bomber që të shënonte 20 gola në sezon. Tratativa u bë e mundur për shkak edhe të miqësisë mes drejtorit sportiv të Lacios dhe Miroslav Kloses, pasi ata kanë luajtur së bashku te Kaizerslautern. Sulmuesi gjerman është autor i 61 golave me kombëtaren, 14 prej të cilëve në Botëror. Ndërkohë, në Bundesligë ai ka realizuar në total 177 gola. Pasditen e së enjtes Klose ka zhvilluar vizitat mjekësore në Romë, duke u shprehur shumë optimist për aventurën e re. “Lacio është një skuadër shumë interesante, me futbollistë si të rinj, ashtu edhe me eksperiencë. Jam shumë i kënaqur për këtë aventurë të re, mendoj se do të jetë një sezon interesant dhe jam i sigurt se mund të luftojmë për vendin e parë”, deklaroi sulmuesi i kombëtares gjermane në fjalët e tij të para si lojtar i Lacios.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›