E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi Berishës në kishë: Hap kutitë, replika: Zoti të haptë mendjen

 TIRANë/SHKODëRFestimi i Krishtlindjeve edhe këtë vit nuk i ka shpëtuar batutave politike. Në një klimë të nxehtë, në kulmin e debatit për hapjen e kutive, Kryeministri Berisha dhe deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, janë përballur në Katedralen e Shën Palit, ku teksa kanë uruar besimtarët kristianë, kanë replikuar me njëri-tjetrin. Në mesditë Kryeministri uroi besimtarët katolikë dhe gjatë vizitës në Katedralen e Shën Palit, hyri deputeti socialist, i cili pasi pa kreun e maxhorancës nguroi të takonte Arqipeshkvin e Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirditën. Në përfundim të takimit, teksa po largohej nga Katedralja, Kryeministri u kthye për t’i dhënë dorën deputetit të PS-së, i cili nga ana e tij duket se nuk la që kjo mundësi t’i rrëshqiste, për t’i kërkuar sërish Berishës të pranojë kushtet e opozitës. “Hap kutitë”, iu drejtua Klosi kreut të maxhorancës, që fillimisht qeshi dhe i uroi festën. Por pak metra më tej, Kryeministri u drejtua nga kamerat, duke u shprehur “Zoti i haptë mendjen”, ku nënkuptonte pikërisht Klosin. Ndërkohë, pak metra më larg, në Kishën Ortodokse Autoqefale, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha kanë koinciduar për vizitë në të njëjtin orar, pa mundur këtë herë të shmangin njëri-tjetrin. Fillimisht në takimin me kryepeshkopin Janullatos ishte ministri Basha dhe pak pas tij erdhi kreu i opozitës, i cili shtrëngoi duart me kundërshtarin e tij politik.UrimetPresidenti, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, kreu i opozitës Edi Rama, kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe përfaqësues të tjerë të lartë të politikës uruan dje Krishtlindjet për të gjithë qytetarët katolikë dhe ortodoksë. Krerët e maxhorancës, Berisha dhe Topalli zgjodhën qytetin e Shkodrës për të uruar fillimisht krishtlindjet. “Këto Krishtlindje i festojmë pasi Shqipëria është anëtarësuar në NATO. Flamuri i saj, më i vjetri flamur shtetëror në Evropë, qëndron sot në mes flamujve të kombeve më të zhvilluara të Evropës. Sot jemi më afër se kurrë lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në mbarë Evropën, progresit të ndjeshëm të thellë, në anëtarësimin në BE”, u shpreh kryeministri nga qyteti i Shkodrës. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli tha se “Krishtlindjet, ashtu si festat e tjera fetare të kombit tonë, janë një festë shumë e bukur, festa në të cilën princi i paqes lindi për të sjellë më shumë lumturi e paqe në botë ndaj dhe unë uroj të gjithë besimtarët, jo vetëm ata katolikë, por të gjithë shqiptarët, në këtë ditë kur secili prej nesh duhet t’u japë shenjën e paqes të njohurve, të afërmve. Unë uroj të gjithëve gëzuar këtë festë, paqe, lumturi, mbarësi e shëndet në familjet e tyre”. Më pas krerët e qeverisë u ndalën në Kishën Katolike dhe Ortodokse në Tiranë, ku uruan Krishtlindjet.Berisha ndez qiri në Kishën e ShkodrësKryeministri Berisha, i cili shoqërohej në vizitën e tij në Shkodër nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli dhe deputetët e qarkut Shkodër, fillimisht janë ndalur në Kishën Ortodokse të Shkodrës ku janë pritur nga famulltari At Aleksandër Petani. Kryeministri fillimisht ndezi qiri në Kishë, i cili sipas ritit ortodoks simbolizon lindjen përmes dritës së Shpresës dhe ringjalljes.Krishtlindjet, festë edhe në Kishën e BurrelitKrishtlindjet u festuan dje edhe në Kishat e Suçit, Ulzës, Bazit dhe atë Ungjëllore në Burrel, në rrethin e Matit. Ceremonia ka nisur të enjten në mbrëmje me meshën e shenjtë, e cila është mbajtur nga priftërinj vendas dhe italianë. Ata dhanë mesazhe të paqes, të lirisë dhe të mirëkuptimit. Përveç besimtarëve katolikë, në këto manifestime, ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të komunitetit mysliman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›