Rruga e Hanit të Hotit, dalin emrat e shpronësimeve
SHKODER – Publikohen listat me emrat e 3 mijë kryefamiljarëve që do të shpronësohen si pasojë e ndërtimit të rrugës Shkodër-Hani i Hotit. Një shumë prej 40.4 milionë lekë është akorduar për banorët e 6 njësive vendore të rretheve Shkodër e Malësi e Madhe. Deri më 15 mars të vitit të ardhshëm duhet të jenë përfunduar të gjitha procedurat dhe përfituesit mund të tërheqin paratë. Shuma e parave u miratua në mbledhjen e qeverisë në ditët e para të këtij muaji. Shkresa zyrtare nga Këshilli i Ministrave ka mbërritur në njësitë vendore që preken nga shpronësimet që janë: Bashkitë Shkodër dhe Koplik, komunat Rrethina, Gruemirë, Kastrat e Qendër-Koplik. Gjithçka do të përfundojë më 15 mars 2010 ndaj u është kërkuar institucioneve që janë të përfshira në këtë proces që të marrin të gjitha masat që të shmangen burokracitë. Me vendim të Këshillit të Ministrave është rënë dakord që pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të paraqitur në listë: për sipërfaqe 3991 m/2 tokë truall, 85330 m/2 tokë arë dhe 3253 m/2 pemëtore. Problemet e njohura mbi pronësinë në këto zona kanë bërë që Këshilli i Ministrave të përcaktojë edhe rrugën që duhet të ndiqet. Sipas këtij vendimi do të shpronësohen menjëherë të gjithë ata pronarë që kanë emrin në listat e bëra publike dhe ngjitur me emrin është bërë shënimi “konfirmim ZRPP dhe proces regjistrimi”, por pasi të kenë dorëzuar të gjithë dokumentacion e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Ndërsa për pronarët që kanë emrat në listë dhe është bërë shënimi “Proces gjyqësor” kompensimi për efekt shpronësimi do të bëhet vetëm pasi të dalë vendimi i gjykatës i formës së prerë. r.d