Nishani: Prova, të “lirë” 630 të dënuar
TIRANE – Plot 630 të dënuar kanë përfituar nga ligji i shërbimit të provës dhe aplikimi i dënimeve alternative. Shifra është bërë publike dje nga Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, në një intervistë për “Tv Klan”, sipas të cilit këta persona tashmë po kryejnë dënimet jashtë qelive të burgjeve. Nishani pohoi se në institucionin që drejton, për vitin 2009 ekziston një bilanc shumë pozitiv në të gjitha aspektet. “Janë 9 projektligje të miratuara dhe të kthyera tashmë në ligje, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë dhe në reformën e pronësisë”, tha Nishani. “Angazhimi i Ministrisë së Drejtësisë në fushën e hartimit të legjislacionit ka sjell një impakt pozitiv përsa i takon reformës në drejtësi. Miratimi nga parlamenti dhe ratifikimi prej tij i Konventës së Hagës, po kështu ligji për çështjet civile, apo një ligj shumë i rëndësishëm, ai i bashkëpunimit juridiksional me autoritetet e huaja për çështjet penale, por dhe ai më i fundit i zyrtarizuar tashmë, ligji antimafia, janë kontribute të rëndësishme të qeverisë shqiptare, përmes Ministrisë së Drejtësisë”, pohoi Nishani duke shtuar se opinioni publik tashmë po konstaton një angazhim specifik në krijimin e mekanizmave eficent për goditjen e bazës së ekonomisë kriminale, që në tërësi e bën të vështirë rast se nuk goditet vetë krimi i organizuar dhe mafia në tërësi, në konceptin e organizimit e funksionimit të saj në kushtet e Shqipërisë. Nishani përfundoi duke thënë se fenomeni i gjakmarrjes për një numër arsyesh ka pësuar rrudhje, sipas tij për dy arsye: maturimi i shoqërisë dhe ashpërsimi i ligjit, i cili i ka zënë vendin vetëgjyqësisë. f.m