E Diel, 1 Nëntor 2026

Vila, Beqiri, Hyka, tre legjionarë në udhëkryq

 Leonard KarajEmiliano Vila pritet të rikthehet në Superligë, Jahmir Hyka mund të huazohet për pjesën tjetër të sezonit, ndërsa Elvin Beqiri kërkon një skuadër jashtë Shqipërisë. Ka lëvizje te legjionarët. Na fakt janë më problematikët ata që edhe në këto ditë festash duket se nuk do të rrinë të qetë. Kjo për shumë arsye. Emiliano Vila është vënë në qendër të vëmendjes së disa klubeve në vendin tonë, kjo menjëherë pasi futbollisti dhe drejtuesit e klubit të Dinamos së Zagrebit pohuan se janë gati ta rishesin ose ta japin në huazim futbollistin. Vila, i cili kaloi te kroatët këtë verë për shifrën e 250 mijë eurove nuk ka arritur të tregojë asgjë nga vlerat e tij, kjo as tek Lokomotiva e Zagrebit, skuadër satelit e Dinamos një kategori më poshtë në kampionatin kroat. Durrsaku u dha në formë huazimi me qëllim që të kishte mundësi ambientimi dhe më pas në pjesën e dytë ët sezonit do të kalonte sërish te pluri-kampionët kroatë. Por fakt është se futbollisti nuk ka arritur të tregojë vlerat e tija ndaj edhe me shumë gjasa do të largohet gjatë janarit nga ky kampionat. Në Shqipëri, Dinamo më shuam se cilado skuadër është interesuar për shërbimet e tija. Kjo edhe për shkak të një largimi të mundshëm të Elis Bakajt në një kampionat të huaj. Problematike është situata edhe për Jahmir Hykën. Talenti shqiptar nuk ka luajtur thuajse fare gjatë fazës së parë në Gjermani te Mainzi ndaj edhe sipas menaxherit të tij po shikohet një mundësi huazimi për pjesën tjetër të sezonit, mundësisht në Bundesliga 1. Gjithsesi nuk përjashtohet mundësia e kalimit dhe në një skuadër të Bundesligës së Dytë gjermane. E sigurt është se Hyka nuk do të rikthehet në kampionatin shqiptar. Ndërkohë një nga futbollistët, që mund t’i largohet Vllaznisë dhe kampionatit shqiptar në janar, është mbrojtësi Elvin Beqiri. Ai nuk është në listën “non grata”, të drejtuesve të klubit kuqeblu, por faktikisht është një lojtarë i lirë pasi i ka përfunduar kontrata. Deri tani ai ka marrë disa sinjalizime nga ekipe të ndryshme jashtë vendit, ndërkohë, që shkodrani dëshiron të studiojë ofertat më të mira dhe pastaj të vendosë. Drejtuesit e Vllaznisë, të cilët pretendojnë të futet në merkaton e janarit për të forcuar radhët e saj, nuk kanë biseduar ende me Beqirin. “Deri tani nuk kam biseduar asgjë dhe nuk kam marrë asnjë sinjalizim prej drejtuesve të Vllaznisë, por ndoshta në të ardhmen mund të kemi ndonjë bisedë me ta. Mund të them se do të shikoj të gjitha gjërat me qetësi për të vendosur për të ardhmen time në këtë pjesë të sezonit dhe për vazhdimësinë”, është shprehur mbrojtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›