E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: Hapja e kutive, e drejtë ligjore.

PS përforcon qëndrimin për marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin.

TIRANË - Përpos qëndrimit të ndërkombëtarëve, Partia Socialiste është mese e vendosur në marrëdhënien e saj të kushtëzuar me Kuvendin, për aq kohë sa nuk zbardhet e vërteta e 28 Qershorit.


Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, sqaroi edhe njëherë dje në një konferencë për shtyp se, zgjedhjet e ditës së shtunë,
nuk zgjodhën vetëm kryetarin e Partisë Socialiste për 4 vitet e ardhshme, por në të njëjtën kohë, konfirmuan, në mënyrë plebishitare, qëndrimin e socialistëve në mbështetje të marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin, për aq kohë sa nuk zbardhet e vërteta e 28 Qershorit.


"Edhe pse kanë kaluar javë nga parashtrimi i kërkesave tona, Kryeministri vazhdon të heshtë. Sot kërkesa jonë për zbardhjen e të vërtetës, që mbahet mbyllur në kutitë e votimit, është e qartë për të gjithë shqiptarët.


Ajo është një kërkesë e drejtë, kushtetuese, në mbështetje të ligjit, që kërkon të mbyllë përfundimisht kalvarin e zgjedhjeve të manipuluara në vendin tonë.


Shkalla e manipulimit të zgjedhjeve po faktohet dita ditës, jo vetëm nga opozita, por edhe nga investigimi i pavarur i medias", tha dje Klosi.


Dy ditë më parë, pas mbërritjes nga SHBA-ja, Kryeministri Sali Berisha deklaroi në një konference për shtyp se, për hapjen e kutive të votimit, kishte vendosur gjykata dhe se palët duhet të respektonin tashmë vetëm verdiktin e dalë prej saj.


Ndërkohë, dje Sekretari Organizativ i PS-së theksoi se, hetimi i kërkuar nga opozita, me qellim zbardhjen e së vërtetës së 28 Qershorit, lidhet me faktin që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe sipas standardeve të vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›