E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “Kriza ekonomike pasojë e votave të manipuluara”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kriza ekonomike, e cila po ndihet përditë e më shumë në vend, është si pasojë e votave të manipuluara të 28 Qershorit. Kështu pohon deputeti socialist Blendi Klosi. Sipas tij, Sali Berisha thotë se ska krizë, edhe pse qytetarët e qytetaret e këtij vendi e ndiejnë krizën sa herë u futet nën derë fatura e energjisë dhe ujit. “E vërteta e hidhur është se Sali Berishës dhe mazhorancës së tij nuk i intereson nëse vendi është në krizë, pasi kjo qeveri e papërgjegjshme nuk është produkt i votës së lirë të shqiptarëve. Dhe manipulimin e zgjedhjeve nuk e vuan Sali Berisha, por qytetarët”, - tha Klosi. Sipas tij, për sa kohë që standardet e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme nuk do të arrihen, për sa kohë vota ndryshe do të hidhet në kuti e ndryshe do të numërohet, për sa kohë vullneti i popullit do të shtrembërohet ashtu siç ndodhi në 28 qershor, kjo situatë nuk ka për të ndryshuar. “Sepse për sa kohë do të lejohet manipulimi i zgjedhjeve, qeveria sdo të mendojë për shqiptarët, por vetëm për veten, pasi pushtetarët nuk do të kenë frikë nga ndëshkimi i popullit me votë”, - tha ai. Ligjvënësi socialist shtoi se të gjitha vështirësitë e problemet me të cilat përballen sot shqiptarët, që nga rritja e çmimeve e deri tek injorimi i të drejtave të banorëve të Orikumit e tallja me kërkesat e minatorëve e kanë origjinën tek manipulimi i procesit zgjedhor. “Refuzimi i Sali Berishës për të hetuar atë çka ka ndodhur më 28 qershor përbën provën më të qartë se Kryeministri nuk është i interesuar në zgjidhjen e krizës”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 07/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›