E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetësit në Maturë dhe 9-vjeçare, si do të bëhet ritestimi në vjeshtë

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Provimet e qershorit në shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare sigurisht që nuk do të rezultojnë pa nxënës mbetës, të cilët do të duhet ti rijapin lëndët në vjeshtë. Por nëse maturantët mbetës rrezikojnë garën për në universitet, nxënësit e klasës së nëntë mund të kalojnë në vitin e ri shkollor, nëse i kalojnë provimet e vjeshtës. Ministria e Arsimit, së bashku me AVA dhe APRIAL (dy institucionet që merren me hartimin dhe vlerësimin e tezave për nxënësit) ka shpallur edhe datat e provimeve për sesionin e vjeshtës.
Mbetësit
Datat e zhvillimit të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e dytë janë: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi më 8 tetor 2010 dhe Matematikë më 15 tetor 2010. Nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave social-kulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar, që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, kanë të drejtë ti japin ato provime klase në muajin shtator 2010, sipas një grafiku të veçantë të hartuar nga shkolla. Kur nxënësi vlerësohet kalues në provimet e klasës, ka të drejtë të pranohet në sesionin II të Maturës Shtetërore të po atij viti shkollor. Ndërsa për nxënësit mbetës në Provimet e Lirimit sesioni i vjeshtës është vendosur në datat 1 deri në 6 shtator të vitit 2010. Përkatësisht gjuha shqipe dhe leximi letrar do të jepet me 01 shtator 2010, ndërsa matematika më datë 06 shtator 2010.
Testet
Të gjitha testet e provimeve me shkrim, për të dy sesionet, të hartohen në AVA dhe të shpërndahen prej saj. Në institucionet arsimore private, provimet e Maturës Shtetërore të zhvillohen në të njëjtat data dhe me të njëjtat teste, si dhe në institucionet ekuivalente publike. Për shkollën e mesme pedagogjike për minoritetin grek për provimin Gjuha dhe Letërsia Greke të përgatitet tezë e veçantë nga DAR Gjirokastër. Tërheqja e testeve të provimeve me shkrim të Maturës Shtetërore të bëhet në bazë të
Rregullores së Maturës Shtetërore, të miratuar me Urdhrin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr 103, datë 17.02.2010 “Për miratimin e Rregullores së Maturës Shtetërore 2010”. Po ashtu, në institucionet arsimore private, provimet e Maturës Shtetërore të zhvillohen në të njëjtat data dhe me të njëjtat teste, si dhe në institucionet ekuivalente publike.
Përsëritësit
Nxënësit që në vitet e mëparshme shkollore (2006,2007,2008) kanë marrë notë kaluese vetëm në njërin nga provimet e detyruara, e ruajnë këtë notë edhe në vitin shkollor në të cilin duan të konkurrojnë për në universitet. Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, nuk është parë e arsyeshme që provimi i marrë një herë të jepet sërish, për faktin se për një vit apo pak më shumë dijet e kandidatit nuk kanë ndryshuar. Kësisoj, maturanti që e ka marrë tashmë një lëndë me detyrim nuk e jep sërish në provimet e detyruara të Maturës Shtetërore 2010. Ndërsa nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Sipas udhëzimit të Maturës Shtetërore, ky nxënës është i detyruar të japë riprovim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Sipas burimeve nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës, çdo vit kanë qenë mbi 1 mijë kandidatë paramaturantë, të cilët kërkojnë të vazhdojnë studimet e larta.

Regjistrimi për paramaturantët

Të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006, dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, do të japin dy provime me zgjedhje. Rregullorja e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës parashikon se regjistrimi i kësaj kategorie për provimet me zgjedhje do të bëhet në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollat e mesme; në Komisionin e Maturës Shtetërore (KMSH) të drejtorisë arsimore përkatëse. Kjo kategori kandidatësh për student duhet të paraqesin për regjistrim një vërtetim që ka përfunduar studimet e mesme, listën me notat e viteve të shkollës, kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë, një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar dhe kërkesën me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje. KMSH i cakton shkollën e mesme ku këta persona do të plotësojnë formularët A1 dhe A1Z dhe do të japin provimet me zgjedhje.

Paramaturantët
Dokumentet për regjistrim
1. lista me notat e viteve të shkollës
2. kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë
3. kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar
4. kërkesa me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje

Ky lajm është publikuar: 07/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›