Klosi: Mafia ruse, tentativa në Shqipëri
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një intervistë për "Alsat", deklaroi se mafia ruse ka qenë e interesuar prej kohësh që të investojë në Shqipëri. Vetëm pak ditë pas publikimit të raportit të SHISH nga deputeti i PS-së Erjon Braçe, Klosi shprehet se që në kohën kur ai drejtonte SHISH-in ka pasur tentativa të mafies për të pastruar para në Shqipëri. "Mafia është një term shumë i përgjithshëm, por që rusët të paktën, kanë tentuar edhe më parë dhe pastaj kanë blerë shumë prona në të gjithë rajonin, qoftë në Mal të Zi dhe në Greqi, tregojnë që ata po tentojnë në këtë rajon dhe nuk është çudi që po tentojnë edhe në Shqipëri. Po në Shqipëri do ta quaja që mbase e kanë edhe më kollaj. Sigurisht sinjale ka pasur, por thashë, duke studiuar rajonin bëhet shumë e qartë tentativa e mafies ruse për t'u futur në këtë rajon", tha Klosi. Ai u shpreh se e sheh të besueshëm raportin e Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili e vë theksin tek shtimi i organizatave mafioze, që zgjedhin të pastrojnë paratë e tyre në Shqipëri. Blerja e pronave turistike në bregdetin shqiptar, apo investime të tjera si në turizëm, hoteleri, kazino etj., shihen me interes nga mafiozët. "Kanë tentuar dhe tentojnë në fushën e turizmit, në hoteleri, në bërjen e fshatrave turistike, sportive etj., kështu që në këto fusha investimi është më i suksesshëm, meqenëse e kthen veten më shpejt, prandaj dhe tentojnë në këto fusha", shtoi Klosi.