E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria merr në punë 405 punonjës të rinj sezonalë



ADI SHKEMBI

Qeveria merr 405 punonjës me kontratë të përkohshme në institucionet qendrore. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është miratuar një projektvendim i propozuar nga Ministria e Financave, për shtimin e numrit të punonjësve sezonalë, sipas të cilit ky numër në total shkon 1411. "Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2010, në njësitë e qeverisjes qendrore është 1411 veta, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij", thuhet në pikën 1 të vendimit, e cila ndryshon aktin e mëparshëm ligjor të miratuar më 19 maj 2010, ku ky numër ishte 1006 punonjës. Në projektvendimin e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, nuk detajohen institucionet që do të kenë rritje të numrit të organikës me punonjës me kontratë të përkohshme. Ndërkohë në paragrafin e dytë dhe të tretë të vendimit thuhet se "Përjashtimisht për qendrat e transferimit të teknologjisë në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për shkak të veçorisë së punës, pagesa e punonjësve të kontraktuar përllogaritet sipas vëllimit të punës së kryer dhe përballohet vetëm nga të ardhurat e realizuara nga çdo qendër, brenda vitit 2010. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2010, të njësive të qeverisjes qendrore". Në të njëjtën kohë, në projektin e miratuar në mbledhjen e Qeverisë ngarkohet Ministria e Financave "të miratojë me hollësi numrin e punonjësve, në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin nr.1703, datë 24.12.2008, të Këshillit të Ministrave, "Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe veprimtarive sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore"". Më 3 mars 2010, Qeveria miratoi vendimin "Për përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2010, në njësitë e qeverisjes qendrore", në të cilin thuhej se numri i kësaj kategorie punonjësish gjatë këtij viti do të jetë 576 veta. Por vetëm një javë më vonë, këtij numri iu shtuan edhe 197 punonjës të tjerë.

Shkarkohet kreu i komunës së Trebinjës

Me propozimin e Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, Këshilli i Ministrave shkarkoi dje nga detyra kreun e Komunës Trebinjë në rrethin e Pogradecit. Arsyeja e këtij shkarkimi mësohet të jetë ndjekja penale ndaj kryekomunarit Gjergji Buzo, i cili momentalisht ndodhet në arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit. Agjentët e Seksionit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë kanë bërë arrestimin e kryekomunarit Buzo me datë 15 maj, pasi u kap në flagrancë me një sasi lekësh, të cilat i kishte marrë në shkëmbim të një favori. Ai akuzohet për korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës. Agjentët në bashkëpunim me viktimën bënë të mundur arrestimin e kreut të komunës, pasi ai tentoi të marrë një shumë parash nga një ish-punonjës i komunës, i cili kishte fituar të drejtën e shpërblimit me 1 vit pagë për largimin e padrejtë nga puna. Tashmë në këtë komunë do të bëhen zgjedhje të reja. Ish-kreu i komunës, Buzo, ishte zgjedhur nga e majta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›