E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Transit për gazin e naftën



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi një vizitë zyrtare disaditore në Azerbajxhan, për herë të parë e këtij lloji në shtetin e pasur me naftë e gaz. Kryeparlamentarja u takua me autoritetet më të larat të vendit, duke filluar nga homologu i saj, por edhe Presidentin dhe Kryeministrin azerbajxhanas. Në takimin me Kryeministrin Rasizadeh, e shoqëruar edhe nga deputeti Ben Blushi, Topalli u shpreh se Shqipëria është një vend i përshtatshëm për të bërë transitimin e naftës dhe gazit të këtij vendi drejt tregut të Perëndimit. Në këtë kontekst Kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë për njohjen e Shqipërisë si vend transit të kalimit të linjave të gazit dhe naftës dhe kërkoi angazhimin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit të Azerbajxhanit, çka u prit shumë pozitivisht. Gjatë vizitës së saj në Baku Kryetarja e Kuvendit u takua edhe me ministrin e Zhvillimit Ekonomik zotin Shahin Mustafajev. Ai i shprehu gatishmërinë e tij për të konkretizuar me projekte bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve në shumë fusha me interes reciprok, kryesisht në fushën e energjisë. Topalli u prit edhe nga Presidenti Ilham Aliyev. Presidenti Aliyev mirëpriti kërkesën e Kryetares së Kuvendit në përfshirjen e Shqipërisë si vend i rëndësishëm transiti në projektet e mëdha të linjave gazsjellëse. Për sa i përket Kosovës, Presidenti Aliyev u shpreh se do t'i kërkonte Kryeministrit të vet të gjente mënyrat për të mbështetur një popull mik dhe për t'i dëshmuar atij solidaritet të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›