E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Vasili: Xhufi me shokë, zëdhënës bashkie

LSI vazhdon sulmin ndaj kundërshtarëve të bashkëpunimit me PD për qeverinë e re. Vasili tha se bashkëpunimi do të jetë Brenda afateve dhe se kundërshtarët janë “zëdhënës të Ramës”. 

TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili përsëriti sot se bashkëpunimi me partinë Demokratike për formimin e kabinetit të ri qeveritar do të zhvillohet brenda afateve kushtetuese.

“Vendimi për bashkëpunimin me PD-në, është marrë në forumin më të lartë drejtues të LSI-së dhe duhet të zbatohet”- deklaroi Petrit Vasili duke quajtur 5 kundërshtarët e këtij bashkëpunimi, të kryesuar nga Pëllumb Xhufi si zëdhënës të bashkisë. Më tej Vasili tha se po punohet për një program serioz qeverisës.

Pak ditë më parë një fraksion i përbërë nga 5 figura të njohura të kësaj partie, anëtare të kryesisë së saj, kundërshtuan vendimin për lidhjen e aleancës dhe krijimin e qeverisë me Partinë Demokratike, që doli fituese nga zgjedhjet e 28 qershorit. Në krye të këtij grupimi është nënkryetari i partisë, Pëllumb Xhufi si dhe figura të tjera të rëndësishme, si Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçi. Zyrtarët kërkuan tërheqjen nga negociatat për krijimin e qeverisë së re, duke theksuar se vendimi për bashkëpunimin ka zhgënjyer mijëra votues të LSI-së, ndërsa ka një kosto elektorale te pariparueshme për këtë forcë politike.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›