E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: “PS-ja realizoi Kodin, qeveria të shpërndajë kartat e identitetit”



Partia Socialiste deklaron se kreu detyrën e saj si forca kryesore e opozitës duke miratuar Kodin e ri Zgjedhor. Tashmë selia rozë kërkon nga qeveria që të plotësojë detyrimet e saj për hartimin e Regjistrit Kombëtar të zgjedhësve dhe shpërndarjen e kartave të identitetit për çdo votues. Blendi Klosi, sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, tha se miratimi i Kodit të ri Zgjedhor shënon mbushjen me sukses të detyrimit të opozitës dhe se tani është radha e qeverisë për të realizuar angazhimet e saj. “Sot hapet pjesa e dytë e procesit, e cila ka të bëjë me detyrat ekskluzive të qeverisë për ta garantuar Kodin e ri Zgjedhor me një Regjistër Kombëtar zgjedhësish dhe karta identiteti për çdo votues. Përgjegjësia jonë deri dje ishte të realizonim Kodin, sot e deri në zgjedhje është të mos e lejojmë Sali Berishën dhe qeverinë e tij ta rrezikojë vënien në jetë të tij duke iu shmangur përgjegjësisë kushtetuese e ligjore për të garantuar infrastrukturën zgjedhore”, - tha Klosi. Deputeti socialist kërkoi nga qeveria që të përcaktojë qartë se kur do të përfundojë në mënyrë të saktë, pa mangësi dhe dublime Regjistri Kombëtar Elektronik i Gjendjes Civile. Ai kërkoi gjithashtu nga qeveria që të përcaktojë saktësisht se kur do të nxirren listat paraprake të zgjedhësve dhe kur do të afishohen ato. Klosi u ndal gjithashtu edhe në çështjen e kartave të identitetit. “Kur (konkretisht në cilën datë) do të fillojë prodhimi i kartave të identitetit, cila do të jetë dinamika e shpërndarjes së tyre dhe kur mendohet të përfundojë pajisja e shtetasve me këto karta? A ka një evidentim të saktë të shtetasve që janë të pajisur me pasaporta të vlefshme deri në ditën e votimit dhe si do të veprohet konkretisht në praktikë për të pajisur me prioritet me karta identiteti ata zgjedhës që nuk kanë pasaporta?” - tha sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›