E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Kodin do ta kundërshtojmë me protesta dhe në rrugë ligjore”



Shaban Sulçe

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, edhe pas daljes nga greva e urisë shpreh vendosmërinë për të kontestuar Kodin e ri Zgjedhor të miratuar në Kuvend dy ditë më parë nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Kreu i LSI-së ka paralajmëruar vazhdimin e protestave popullore si dhe ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore për të rrëzuar Kodin e ri Zgjedhor, të cilin ai e quajti hap mbrapa për zgjedhjet dhe rrezik për demokracinë shqiptare. I pyetur nëse do të kishte një ankimim në Gjykatën Kushtetuese, Meta tha se “ne do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore dhe institucionale, pa asnjë diskutim. Ky është një ndër drejtimet e aksionit tonë, duke evidentuar të gjitha shkeljet që janë bërë gjatë gjithë kësaj kohe: shkeljen e të gjitha principeve ndërkombëtare, shkeljen e rekomandimeve ndërkombëtare, shkeljen e Kushtetutës, shkeljen e Rregullores së Kuvendit”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ai u bëri ftesë të gjithë shqiptarëve, pa dallim partie, por që besojnë ende te vota e lirë që të marrin pjesë në mitingun madhështor që do të organizohet një javë më pas në sheshin “Skënderbej”. “Të mërkurën e ardhshme, në orën 16:00, të gjithë shqiptarët që besojnë se vota e tyre duhet të jetë e lirë, duhet të jetë e barabartë, se vota e tyre duhet të jetë e shenjtë, të bashkohemi që të gjithë, pa dallim partish, në sheshin ‘Skënderbej’, për të organizuar një nga protestat dhe manifestimet më të mëdha paqësore, që ka njohur vendi, që në fillimet e pluralizmit politik, për tu treguar të gjithëve se shpirti i shqiptarëve për liri dhe për demokraci, nuk mund të ndrydhet nga maxhoranca e kartonëve”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Kodi
Kreu i LSI-së tha se LSI-ja, por edhe shumë forca të tjera politike, nuk do ta njohin asnjëherë pjesën e Kodit që ka të bëjë me procesin e administrimit të zgjedhjeve. Sipas Metës, ky kapitull përbën shkelje të rënda e flagrante për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai tha se Kodi përmban gjithashtu edhe mjaft pika të tjera, të cilat janë problematike dhe që mund të tolerohen, por Meta konfirmoi se nuk do të bëhet asnjë lëshim për të pranuar në Kod kapitullin e administrimit të zgjedhjeve. “Pjesa tjetër e Kodit, për ne, pa dyshim që ka probleme, por kuptohet që në demokraci ka dhe mirëkuptim, ka dhe tolerime, dhe ne kemi bërë tolerimet përkatëse për shumë çështje të tjera, por te çështja e administrimit, që është dhe çështja më kruciale, sidomos në një vend si Shqipëria, ku ne i dimë të gjitha përvojat e votimeve në të kaluarën, do ta kontestojmë pa pushim. Por askush të mos shpresojë se ne do t’u lëmë fushë të lirë dhe hapësirë abuzuesve dhe dhunuesve të votës së lirë. Më duket se isha shumë i qartë, në kushte të reja do të kemi një strategji të re, jo vetëm për të fituar votën e shqiptarëve, por edhe për ta mbrojtur atë me çdo çmim”, - deklaroi kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Votimi
Kreu i LSI-së falënderoi deputetët grevistë si dhe mijërat e protestuesve që u solidarizuan me grevën e deputetëve. Meta tha se greva krijoi një sensibilizim të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë vendit, sepse duke qenë një nga grevat më qytetare ajo kërkoi dhe pati mision rivendosjen e standardeve demokratike në zgjedhje dhe përmbushjen e parimeve te OSBE-ODIHR-it. Duke folur për votimin e Kodit të ri Zgjedhor nga PS-ja dhe PD-ja, kreu i LSI-së akuzoi dy partitë në fjalë se shkelën standardet e konkurrimit të barabartë, duke favorizuar veten e tyre dhe diskriminuar forcat e tjera politike. “Votimi i djeshëm PD-PS ishte një hap i madh mbrapa në standardet e transparencës demokratike me qëllimin për të dëmtuar shqiptarët që të humbasin besimin te vota e lirë. Ata treguan qartë se i sakrifikojnë pa hezitim interesat legjitime të shqiptarëve, që burojnë nga vota e lirë për interesat e ngushta partiake dhe personale. U injorua me arrogancë rekomandimi shumë i qartë i OSBE/ODIHR-it mbas zgjedhjeve të deformuara të vitit 2005, për të pasur më shumë pluralizëm në procesin e administrimit të zgjedhjeve dhe për të mos lejuar kontroll dhe dominim të komisioneve zgjedhore të PS-PD-së”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Pikat e Kodit Zgjedhor që mund të ankimohen

Kodi i ri Zgjedhor ka të paktën 7 pika, të cilat janë quajtur me frymë antikushtetuese. Të paktën 3 prej këtyre pikave mund të ankimohen në Gjykatën Kushtetuese nga forca politike dhe individë të ndryshëm, që tentojnë të kandidojnë si të pavarur në zgjedhjet e ardhshme. Pikë e ankimueshme është ngushtimi i regjistrimit në zgjedhje i partive joparlamentare. Gjithashtu kufizimi i mundësisë së regjistrimit të koalicioneve në zgjedhje. Me frymë antikushtetuese është edhe pika e shpërndarjes së mandateve. Në këtë kod janë përdorur dy kritere të ndryshme, bazuar mbi formula të ndryshme, për ndarjen e mandateve për deputetë.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›