E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Raportimi para Fazliç, një akt kriminal

Ish-drejtori i SHISH-it, Fatos Klosi, aktualisht një nga specialistët më në zë për Sigurinë Kombëtare, e ka quajtur takimin e Fazliç me ministrat shqiptarë një ngjarje kriminale. Si edhe ish-kryetar i SHIK-ut, ai ka deklaruar se kjo ngjarje i kalon përmasat e një skandali, pavarësisht se në takim ka qenë edhe ish-sekretari amerikan, Tom Rixh, i cili në fakt ende nuk e kishte marrë statusin e këshilltarit të Kryeministrit. I pyetur për këtë takim, Fatos Klosi ka pranuar të japë versionin e tij mbi këtë rast flagrant, i denoncuar dy ditë më parë në gazetën "Shqip". Ky skandal tejkalon kufijtë e së imagjinueshmes, duke e klasifikuar jo thjesht si nxjerrje të informacionit sekret për sigurinë kombëtare, sipas Klosit, por më shumë si një teatër ku Kryeministri komandon kukulla, të cilat kujtojnë se drejtojnë sektorët kyç të vendit...

Zoti Klosi, si e komentoni këtë takim të Damir Fazliç me ministra dhe drejtorë të përgjithshëm të shtetit shqiptar?

Me sa u vura në dijeni edhe nga gazeta, kjo ngjarje i kalon përmasat e një skandali. Për mua është një ngjarje kriminale. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e shtetit shqiptar që të vijë një delegacion i huaj dhe të mos shoqërohet nga përfaqësues të ambasadës përkatëse. Megjithatë, duke parë kushtet në të cilat është zhvilluar takimi, duhet të theksojmë se pushteti shqiptar ka dashur të bëjë një skup mediatik, duke dashur të bëjë autoreklamë me vizita nga "përfaqësues të lartë të shtetit amerikan". Kjo demonstrohet nga jehona që u bë në media dhe nga fjalët shumë të mira që thanë "amerikanët" për punën e qeverisë në fushën e sigurisë. Megjithatë, nuk e kuptoj prezencën e Fazliç, apo të një femre tjetër të pranishme në këtë takim, me sa duket kanë qenë aktorë që mbushnin "delegacionin amerikan".

A e lejon legjislacioni shqiptar një takim të tillë, që diskutimet për sigurinë kombëtare të bëhen në praninë e më shumë se dy shtetasve të huaj?

Për mua, nuk kemi pse të hyjmë në kaq detaje. Po ndalem vetëm në pjesën formale të ngjarjes. Tom Rixh ka pranuar ta quajë veten pjesë e një "delegacioni të lartë amerikan", të paktën ashtu siç u është prezantuar zyrtarëve shqiptarë. Kjo është një ngjarje kriminale, për më tepër që në këtë takim ka qenë edhe një serbo-boshnjak, i cili është bërë edhe kukull e një shou politik, pa pasur asnjë lidhje me shtetin amerikan. Jo më kot edhe Fazliç edhe Berisha pohojnë me gojën plotë publikisht se janë miq... Sepse asnjë i huaj serioz nuk duhet të kishte pranuar të ishte pjesë e shout të Berishës, duke marrë pjesë në atë takim. Për më tepër, që në atë mbledhje është diskutuar për sigurinë kombëtare.

Si veprohet kur vijnë delegacione të huaja në dikastere të rëndësisë kombëtare?

Siç e përmenda më lart, çdo delegacion i huaj vjen në institucionet e vendit me përfaqësues nga ambasada përkatëse. Por mbledhjet për Sigurinë Kombëtare janë mbledhje intime dhe tradicionalisht nuk marrin pjesë të huaj, ata nuk kanë pse dëgjojnë diskutimet që bëhen në takime të tilla, në qoftë se duhet, atyre, mund t‘u ofrohen analiza apo raporte që përfaqësojnë opinionin e shtetit për problemet e sigurisë. Me sa duket, vetë Kryeministri ka vendosur për pjesëmarrjen e tyre në mbledhje, duke i paraqitur si "delegacion amerikan", për t‘i mbyllur rrugën çdo diskutimi rreth kësaj pjesëmarrjeje. Për mua, kjo që ka ndodhur është e turpshme dhe e dënueshme, për të sajuar një "shfaqje" mediatike. Është sajuar një "delegacion amerikan i nivelit të lartë", me një grup "figurantësh" vendas i nivelit shumë të lartë dhe skenografia për "Sigurinë Kombëtare". Një qeveri që sajon të tilla "lodra" as nuk ia vlen që ta kritikosh pastaj për "dalje të sekreteve" apo për thyerje të rregullave. Sepse është e natyrshme të mendosh se "lodra" të tilla mund të bëhen vetëm me "amerikanë" mjaft të afërt të Kryeministrit dhe për ta nuk do të ishte e nevojshme një mbledhje e tillë për t‘u njohur me "sekretet shtetërore" .

A ka dalë ndonjëherë në dosjet e SHISH-it emri i Fazliç?

Për këtë çështje nuk mund të flas, pasi unë isha drejtues dhe nuk i kontrolloja të gjitha materialet operative. Emri i tij edhe mund të ketë dalë, por nuk duhet harruar se SHISH-i nuk dërgon më lart informacionet operative. Më lart dërgohen analiza apo informacione të "pjekura" dhe të verifikuara. Unë në këtë fazë njihesha me informacionet që dërgoheshin më lart.

A duhet të hetojë SHISH-i për këtë takim?

Mendoj se po, të paktën për të sqaruar statusin e vërtetë të "amerikanëve" në atë takim. Dhe kjo mund të bëhet thjesht. Problemi më i vështirë për SHISH-in në këtë rast fillon më vonë: pas sqarimit të së vërtetës, se kujt do t‘ia çonte informacionin? Natyrisht Kryeministrit, i cili sigurisht i njeh më mirë se SHISH-i statuset dhe detyrat e "amerikanëve" në atë takim. Ata, me kërkesë dhe për hatër të tij, kanë marrë pjesë në atë takim... Të tjerët, e thashë më lart, kanë qenë figurantë. Prandaj kjo duhet bërë vetëm për ta lënë në arshivë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›