Gjyqi i bandës së Lushnjës, debate dhe sherr në sallë
Debate të ashpra kanë shoqëruar seancën e radhës te Gjykata e Krimeve të Rënda për bandën e Lushnjës. Avokatët mbrojtës kërkuan ndryshimin e trupit gjykues, pasi, sipas tyre, të gjitha vendimet janë të njëanshme dhe në favor të prokurorëve. Gjithçka nisi në fillim të seancës, kur gjykata pranoi kërkesën e prokurorëve që të lexohej dëshmia e pesë personave, të cilët, prej vitesh, nuk ndodhen në Shqipëri. Avokatët mbrojtës kërkuan që të mos merrej parasysh kjo kërkesë, pasi njëri prej dëshmitarëve, Gramoz Selmani, është në kërkim për vrasje dhe nuk mund t‘i besohet një deklaratë një personi me precedentë penalë, i cili sipas pretendimeve të akuzës, është bërë në ambasadën tonë në Greqi. Kështu, njëanshmëria e gjykatës ka sjellë edhe braktisjen në mënyrë demonstrative të seancës gjyqësore nga një prej mbrojtësve të bandës së Lushnjës. Avokati Vladimir Meçe, pas një debati të ashpër me kryesuesen e trupit gjykues, Marsela Balili, është larguar nga salla e gjyqit, duke i bërë me dije gjykatës që të merrte çdo lloj mase për të, deri edhe në heqjen e licencës. Shkak i përplasjes ishte lajmërimi i disa dëshmitarëve, si dhe gjetja e vendndodhjes së tyre nëpërmjet Policisë së Shtetit. Bëhej fjalë për tre vëllezërit e viktimës Artur Daja, Afrimin, Lorencin dhe Emiljanon. Ndërsa dy dëshmitarët e tjerë, të cilët rezultonin të mos ndodheshin në vendin tonë, ishin Servete Haxhiu dhe Gramoz Selmani. Sipas avokatit Vladimir Meçe, gjykata duhet t‘i drejtohet Policisë së Shtetit për të konfirmuar nëse këta të fundit ndodhen apo jo në vendin tonë. Përballë pretendimeve të mbrojtjes, prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të lexonte deklarimet e dhëna nga dëshmitarët. Sipas shpjegimit të bërë nga prokurori, ata ishin pyetur në ambasadën tonë në Athinë nga hetuesit e çështjes në vitin 2006. Trupi gjykues, i cili është konsultuar në//////////////////// vendin, vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit, në mënyrë të tillë që të lexoheshin deklarimet e tyre gjatë fazës së hetimit paraprak. Sipas gjykatës, prej tyre ishin bërë të gjitha kërkimet e nevojshme dhe ishte më se e faktuar se ata nuk ndodheshin në vendin tonë. Por, vendimi i marrë nga gjykata, është hedhur poshtë nga mbrojtësi Meçe, i cili kërkoi edhe përjashtimin e kryesueses së trupit gjykues, Marsela Bilali. Avokati e ka cilësuar të njëanshëm vendimin e marrë nga ana e saj, pasi dhe për këtë kërkonte që ajo të mos kryesonte këtë proces gjyqësor. Meçe i ka kërkuar një orë kohë që të bënte kërkesën e tij dhe më pas ta depozitonte pranë sekretarisë së gjykatës. Por kjo nuk do të mjaftonte kur gjyqtarja i ka sqaruar avokatit se nuk i nevojitej një orë kohë, pasi do të shtonte në kërkesë vetëm tri fjali më shumë sesa ato që deklaroi. Gjykata vendosi ta shtynte seancën për 20 minuta, në mënyrë të tillë që avokati të përpilonte kërkesën. Pas nisjes së seancës, kryesuesja e trupit gjykues i është drejtuar gjyqtarit, duke i thënë se në cilën faqe ishte. Kjo ka acaruar edhe më shumë situatën, kur avokati Meçe është ngritur nga tavolina, ka shtyrë karrigen mbrapsht dhe i ka shpjeguar gjyqtares se ajo ishte duke u tallur me të. Më pas, mbrojtësi është larguar nga salla.