E Diel, 1 Nëntor 2026

Bullgaria, Alibeajt: Mos cenoni pushtetin gjyqësor

Pushteti ekzekutiv dhe presidenti nuk duhet të ndërhyjnë në pushtetin gjyqësor, por duhet të luftojnë për pavarësinë e tij. Kjo ishte deklarata e kreut të Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, Rumen Jankov, në një takim që ka pasur dje me ministrin shqiptar të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Jankov ishte i shoqëruar nga ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Theodor Roussinov, dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, Blagovest Punen. Takimi u përqendrua në nevojën për shkëmbime përvojash dhe njohje të çështjeve të ndryshme në interes të përbashkët për të dyja vendet. Alibeaj, ndër të tjera, u shpreh për mediat pas takimit, se dëshironte që Shqipëria të shfrytëzojë përvojën bullgare "në betejën e vështirë për shtetin e së drejtës". "Pavarësia e pushtetit gjyqësor në vendin tonë është një çështje delikate", theksoi Alibeaj, "edhe për faktin e traditës së mospasjes të një sistemi qoftë edhe formalisht të pavarur". Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, Rumen Jankov, theksoi se pavarësia e pushtetit gjyqësor është një element i rëndësishëm në një shtet demokratik. "Pushteti ekzekutiv dhe Presidenti nuk duhet të ndërhyjnë në pushtetin gjyqësor, por duhet të luftojnë për pavarësinë e tij", paralajmëroi Jankov. Ai vuri në dukje gjithashtu luftën që duhet të bëhet kundër korrupsionit brenda sistemit gjyqësor dhe jashtë tij. "Për këtë lind nevoja e përzgjedhjes së gjyqtarëve në bazë të vlerave sa më të larta profesionale dhe morale, transparencë", vijoi Jankov. Një nga çështjet për të cilat Jankov vuri theksin në mënyrë të veçantë ishte fakti se gjyqtarët nuk duhet të marrin pjesë në hartimin e ligjeve por t‘i zbatojnë me korrektesë ato.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›