E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Zgjidhja e vetme, protestat qytetare në mbarë vendin

25/03/2010 PS për krizën

Deputetët socialistë i janë referuar sërish dje seancës më të fundit parlamentare, e cila miratoi me votat e shumicës ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e procesit zgjedhor. Madje, në këtë linjë kampi rozë shigjeton ashpër Kryeministrin Berisha dhe Kryeparlamentaren Topalli. “Në seancën e fundit parlamentare, në një shfaqje të shëmtuar arrogance e papërgjegjshmërie, mazhoranca e Sali Berishës dhe Jozefina Topallit hodhi poshtë ofertat për kompromis të Partisë Socialiste dhe vendosi ta thellojë edhe më tej krizën ku është futur tashmë vendi. Votimi i turpshëm i ditës së premte tregoi se dhe Parlamenti, si një sektor i Administratës Publike, merr vendime nën tiraninë e kartonëve të pushtetit”, u shpreh deputeti Blendi Klosi. Në vlerësimin e tij, me anë të këtij veprimi Berisha dhe Topalli i thanë qartë Partisë Socialiste dhe mbarë shqiptarëve se ata nuk janë të interesuar për dialog, se ata nuk janë të interesuar për një zgjidhje institucionale të krizës. “Në mungesë të një partneri të interesuar në dialog e kompromis, në mungesë të një partneri me minimumin e kulturës demokratike evropiane, rruga e vetme që i mbetet opozitës shqiptare për përmbushjen e të drejtës së saj kushtetuese për transparencë janë protestat”, vlerësoi Klosi.

Asambleja Kombëtare e PS

Partia Socialiste do të mbledhë ditën e shtunë Asamblenë Kombëtare për të vendosur mbi pozicionin e saj përballë institucionit të Kuvendit. Kështu, takimi i thirur në fundjavë do të diskutojë e më pas do të miratojë vendimin mbi një moment të tillë. Pra do të jetë ky takim i cili do të përcaktojë nëse grupi parlamentar socialist do të vijojë të shkojë në parlament, pra nëse do të bashkërendojë luftën parlamentare me protestat popullore, apo do të ndjekë vetëm këtë rrugë, duke rimarë për pasojë bojkotin ndaj tij. Ndërkohë që vetë grupi parlamentar i PS-së do të vendosë sot në mbledhjen e tij vetëm për seancën parlamentare të pasdites, duke ia deleguar Asamblesë Kombëtare të PS-së marjen e një vendimi për marrëdhënien e mëtejshme të tij me parlamentin. Njëkohësisht, në takimin e fundjavës socialistët do të diskutojnë dhe mbi organizimin e protestave popullore, si dhe për ndryshimet në statutin e partisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›