E Diel, 1 Nëntor 2026

Trefishim i pranimeve të studentëve në universitete

25/03/2010 Qeveria projekton rritjen e penetrimit të IT-së në Shqipëri

Kryeministri Berisha kërkon investime shumë më të mëdha

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dje shtimin e kapaciteteve njerëzore në fushën e elektronikës. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është kërkuar që të ndërmerren gjitha veprimet e domosdoshme, që vitin e ardhshëm akademik të trefishohen pranimet në degën e IT-së në të gjitha universitetet publike dhe private të vendit. Ndër të tjera, është vlerësuar si e rëndësishme një konsultë me të gjithë rektorët. Kreu i Qeverisë është shprehur se projekti i Shqipërisë dixhitale është projekti i shkëputjes së sigurt të vendit nga një trashëgimi problematike për qytetarët shqiptarë, i një trashëgimie të kohës së kaluar. Ai vlerësoi si pozitiv zhvillimin gjatë katër vjetëve të fundit të projektit “internet në çdo shkollë”, dixhitalizimin e procedurave, dixhitalizimin e sistemit të gjendjes civile dhe listën dixhitale të zgjedhësve. Sipas tij, penetrimi i IT-së në Shqipëri aktualisht është në masën 32%, kundrejt 4.8% në vitin 2005. “Treguesi i këtij penetrimi është 32%, ndërkohë Evropa ka mesataren 45%, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi 70%. Pra, starti i parë ishte i fuqishëm, por energji më të mëdha, investime shumë më të mëdha, përpjekje shumë më serioze, projekte shumë herë më të mëdha janë të domosdoshme, që të kapim dhe të tejkalojmë mesataren evropiane”, tha Berisha. Ndërkohë, mësohet se po punohet për krijimin e një rrjeti kombëtar, ngritja e të cilit ka si qëllim internet me bandë të gjerë dhe në çdo familje, në të gjithë vendin. Po ashtu është në diskutim ngritja e Fondit Kombëtar, i cili vlerësohet i domosdoshëm për të mbështetur këtë proces.

Synohet

Trefishimi nga viti i ardhshëm akademik, nga 1900 në 6000 pranime në degën e IT-së në të gjitha universitetet publike e private të vendit.

Kurrikul e re, e mirëstudiuar dhe e plotësuar në të gjitha boshllëqet e saj.

Angazhim i ekspertëve më të mirë vendas e ndërkombëtarë në degët e IT-së në universitetet publike e private.

Krijimi i drejtorisë së IT-së në strukturën e çdo ministrie, dikasteri dhe agjencie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›