Klosi për referendumin: Ristani, ushtar i Berishës
Mohim i vullnetit të lirë të popullit , njësoj si në zgjedhjet e 8 majit. Kështu e ka cilësuar vendimin e marrë një ditë më parë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për referendumin për ndalimin e importit të plehrave, deputeti i PS-së, Blendi Klosi. Duke e konsideruar një veprim absurd dhe skandaloz, në emër të PS, Klosi tha se, Arben Ristani, mohoi dje në mënyrë të turpshme, përmes procedurave të shpikura, njësoj si në 8 Maj, vullnetin e një populli për tu shprehur për të ardhmen e tyre dhe interesat jetësore të brezave që do të vijnë.
“Me vendimin e djeshëm, Arben Ristani tregoi se është një ushtar i bindur e vegla e Saliut për të ngritur pushtetin mbi votën e vjedhur. 65 mijë qytetarët që firmosën për të kërkuar të drejtën e tyre legjitime të referendumit, e qindramijëra të tjerë që i mbështesin kuptuan dje se për Arben Ristanin dhe përfaqësuesit e maxhorancës në KQZ e ardhmja e Shqipërisë nuk vlen aspak krahasuar me paratë që do përfitohen nga futja e gjithfarëlloj plehrave në Shqipëri.”- thuhet në deklaratën e PS-së.
Duke konsideruar një vendimin e djeshëm si një shkelje të Kushtetutës, Klosi ka siguruar grupin nismëtar dhe qytetarët shqiptar se, vendimi i parë pas fitores së zgjedhjeve të ardhshme do të jetë anulimi i këtij ligji, që për interesa të pushtetit synon ta kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash.
Për Klosin e vetmja dhuratë që Sali Berisha ka ndërmend t`i bëjë Shqipërisë në 100 vjetorin e pavarësisë, nuk është as godina e re e parlamentit, as stadiumi i ri, as statujat, por thjesht dhe vetëm një monument i madh me plehrat e botës.