Topi nderon Prishtinën me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u takua sot në mjediset e Komunës së Prishtinës me Kryetarin e saj, njëkohësisht Kryetar i LDK-së, zotin Isa Mustafa. Në këtë takim ishin të pranishëm pjesëtarë të delegacionit shqiptar që shoqërojnë Kreun e Shtetit gjatë kësaj vizite zyrtare, si dhe autoritete lokale të Prishtinës e të rrethinave përqark.
Pas pritjes së përzemërt që në hyrje të ndërtesës së Komunës së Prishtinës nga drejtuesit kryesorë të saj, gjatë bisedës me Kryetarin e saj, zotin Isa Mustafa, Kreu i Shtetit, Bamir Topi u njoh me arritjet dhe sfidat me të cilat përballet në përditshmërinë e saj, Prishtina me banorët e shumtë.
Duke shprehur mirënjohje të thellë për vizitën e Kreut të Shtetit shqiptar, Kryetari Mustafa vuri në dukje qëllimin kryesor “të kthimit sa më shpejt të Prishtinës në një qytet të vërtetë metropolitan” dhe për këtë ai nënvizoi se “Në 13 vite, pas çlirimit të saj, janë bërë përpjekje dhe janë realizuar shumë projekte të rëndësishme për zhvillimin e gjithanshëm të Prishtinës, për zhvillimin ekonomik, për një urbanizëm bashkëkohor dhe shërbime efikase e cilësore, për integrim në zhvillimet rajonale e ndërkombëtare, dhe si një qendër e rëndësishme e jetës kulturore, arsimore sportive, me shërbime të intelektuale e financiare dhe jetë cilësore për të gjithë qytetarët e saj”.
Gjithashtu, Kryekomunari Mustafa falënderoi Presidentin Topi për interesimin dhe vëmendjen e veçantë të treguar në këtë takim, vlerësoi rolin konstruktiv të Kryetarit të Shtetit shqiptar në të gjitha sfidat e rëndësishme të Shqipërisë, duke shprehur bindjen, njëherazi edhe si Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në vijimësinë e këtyre takimeve e bashkëpunimeve të frytshme mes dy vendeve tona edhe në të ardhmen.
Presidenti Topi nga ana e tij, pasi falënderoi për pritjen e ngrohtë, vlerësoi lart ndryshimet dhe zhvillimet e gjithanshme që kryeqendra e Kosovës, Prishtina, ka arritur ndër vite, ku “gjithçka po profilizohet si një qendër e rëndësishme metropolitane, me mbështetjen edhe të institucioneve qendrore e sidomos të qytetarëve të saj”
Kreu i shtetit shqiptar pas takimit me z. Mustafa nderon Komunën e Prishtinës me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me këtë motivacion: “Për rolin historik në përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi, për meritat e veçanta në zhvillimin e lëvizjes kombëtare, përhapjen e dijes dhe përparimin kulturor, për qytetarinë, sakrificat dhe për kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e traditës dhe forcimin e identitetit kombëtar”.