Kloze fitues i “Këpucës së Artë”, Krespo të “argjendtën”

Sulmuesi gjerman Mirolsav Kloze fitoi "Këpucën e Artë" si golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola në shtatë ndeshje të zhvilluara nga ana e tij me Gjermaninë. Kloze e coi në dhjetë numrin e golave të tij shënuar në dy Kupat e Botës në të cilën ai ka marrë pjesë: në vitin 2002 dhe 2006.
Në vendin e dytë dhe të tretë u renditën respektivisht Hernan Krespo i Argjentinës dhe Ronaldo i Brazilit, ekipet e të cilëve u larguan në fazën e cerekfinaleve. Të dy lojtarët shënuan nga tre gola dhe dhanë nga një asist. Krespo fitoi "Këpucën e Argendtë" pasi luajti vetëm 305 minuta në krahasim me 409 minutat e shpenzuara nga "Fenomeni".
Kloze, fitues me pesë gola, behet kështu fituesi që ka shënuar më pak qysh nga Kupa e Botës 1962, finalet e së cilës u luajtën në Kili. Kloze shënoi 2 gola kundër Kosta Rikës, dy kundra Ekuadorit dhe një gol me kokë kundër Argjentinës. Kloze është shënuesi i tretë më i mirë i Gjermanisë në Kupat e Botës, pas Gerd Mylerit me 14 gola dhe Klinsman me 11 gola.
Ronaldo, që mundi Klozen në garën e golashënuesve të Kupës së Botës Kore/Japoni 2002, shënoi tre gola në këtë Botëror duke thyer rekordin e legjendës Gerd Myler duke arritur në kuotën e 15 golave.