E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet reforma e kundërshtuar e pensioneve

Paketa e kundërshtuar e reformimit të sistemit të pensioneve në Greqi është miratuar, pavarësisht protestave në rrugë dhe grevave që po gjunjëzojnë vendin. Gurët dhe gazi lotsjellës mbushi hapësirën para godinës së Parlamentit, në Athinë, ndërsa policia e ndërhyrjes së shpejtë u përpoq të ndalonte një numër të vogël protestuesish, të dhunshëm. Të tjera marshime, paqësore, u zhvilluan pas dy javë greve që ka prekur të gjitha fushat e shoqërisë greke, duke reflektuar kundërshtinë masive të publikut, ndaj reformave të planifikuara nga qeveria e Karamanlisit. Shumë grekë akuzojnë qeverinë konservatore se nuk po u përmbahet premtimeve parazgjedhore nëpërmjet futjes në fuqi të këtij ligji. Ai përfshin rritjen e moshës së daljes në pension për gratë në 65 vjeç, e njëjtë edhe për burrat, si edhe ofron avantazhe për njerëzit që punojnë edhe përtej kësaj moshe e shkrirjen në një të shumë skemave të pensioneve të sektorit privat. Nënat që punojnë janë më të prekurat. Pagesa e lejes së lindjes është zgjatur nga katër në dhjetë muaj, por ndërsa deri më tani nënat mund të dilnin në pension pas 15 vitesh punë, tani ato duhet të presin të paktën deri sa të mbushin 55 vjeç. Ndërsa punëtorët e të ashtuquajturave punë të vështira, do të duhet të punojnë edhe dy vjet më shumë nga sa kanë punuar deri më tani para se të dalin në pension të parakohshëm. Qeveria insiston se reformat janë të nevojshme për të parandaluar kolapsin e sistemit të sigurimit social, të rënduar akoma më shumë edhe për shkak të popullatës që po plaket gjithnjë e më shumë. Gjithsesi, ligji mundet sërish të bllokohet nëse Parlamenti vendos javën e ardhshme që të zhvillohet një referendum.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›