E Shtunë, 31 Tetor 2026

Knox në SHBA: “Jam shumë e prekur”

E liruar ditën e hënë nga një gjykatë italiane, pasi u mbajt për katër vjet e burgosur për shkak të dyshimit për vrasjen e një studenteje britanike, Amanda Knox, zbarkoi në tokën amerikane, ku falënderoi të gjithë ata që besuan tek ajo.

24-vjeçarja dhe i dashuri i saj italiane, Raffaele Sollecito, u shpallën të pafajshëm në apel, pasi një gjykatë e shkallës së parë i pati dënuar me 26 vjet heqje lirie secilin, për vrasjen e Meredith Kercher, gjatë një loje të rrezikshme seksuale.

”Jam shumë e prekur dhe e vetmja gjë që dua të bëj është të falënderoj të gjithë ata që besuan deri në fund në pafajësinë time”, deklaroi ajo, pas mbërritjes së saj në Siatëll.

Ajo shtoi se dëshiron të çmallet me familjarët, përpara se të bëjë plane për të ardhmen, por gjithsesi, është i sigurt rikthimi i saj në fakultet, për të përfunduar diplomimin.

Familja Kercher u shpreh e revoltuar nga ky vendim dhe premtoi se do të vazhdojë luftën e saj për drejtësi.

Ajo vuri në pikëpyetje vendimin e gjykatës, duke shprehur habinë se si ka mundësi që një vendim kaq i sigurt i shkallës së parë, të hidhet poshtë fare thjeshtë në apel.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›