E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdogan: Izraeli posedon bombë atomike

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vlerësuar se Izraeli paraqet “rrezik” për rajonin e Lindjes së Afërme, për shkak se posedon bombën bërthamore.

“Izraeli është i rrezikshëm për rajonin, për shkak se posedon bombën atomike”, ka thënë Erdogan gjatë vizitës së tij në Afrikën Jugore.

Kreu i Qeverisë turke më herët kishte akuzuar perëndimin se po zhvillon politikë të “standardeve të dyfishta”.

“Këto vende tentojnë të parandalojnë Iranin që të mos prodhojë armatim nuklear, derisa në të njëjtën kohë nuk ndërmarrin kurrfarë masash kundër Izraelit për të cilin besohet se një kohë të gjatë posedon bombë atomike”, ka thënë ai.

Izraeli asnjëherë nuk ka konfirmuar, por as nuk ka mohuar se posedon bombën nukleare, ndonëse besohet se ky është vendi i vetëm që është fuqi nukleare në rajonin e Lindjes së Afërme.

Erdogan serish ka dënuar Izraelin për sulm ndaj konvojit humanitar turk në rrugën e tij drejt Gazës, në vitin 2010, me ç’rast janë vrarë nëntë aktivistë turq, transmetojnë të mërkurën mediat turke.

Pasi që Izraeli ka refuzuar të kërkojë falje për sulmin, Turqia ka tërhequr ambasadorin e saj nga ky vend dhe ka ngrirë të gjitha kontratat ushtarake.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›