E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koalicion me LSI? Për të larguar Berishën kërkohet bashkimi i të gjithëve”

Xhafaj: Ligjet me 3/5, vota jo

hipokrizi, por konsensus modern

“Votimi i ligjeve me 3/5, jo si numëratore aritmetike. Jemi larg reformës së kërkuar në sistemin e drejtësisë. Do të dëshiroja shumë që një gjë e tillë të ishte konsensus parimor. Do të doja shumë që në këtë pikë secila nga palët të ketë arritur me logjikë dhe gjakftohtësi, por dyshoj të jetë pikërisht kështu.”

Sekretari për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, duke folur për MAPO-n përshëndet konsensusin e arritur dje falë ndërhyrjes edhe të ndërkombëtare, por shprehet se askush nuk duhet ta konsiderojë atë si pazar dhe se ligjet me 3/5 të mos konsiderohen si numëratore filloristësh. Sipas tij, kriza që ka sot demokracia e shteti i së drejtës në Shqipëri nuk qëndron te numri i ligjeve të miratuar si shumatore votash, por te cilësia e tyre. Ndaj, për të pasur pikën e kthesës, Xhafaj shprehet se duhen reforma reale, të besueshme dhe të qëndrueshme, çka, sipas tij, fatkeqësisht, ende nuk e kemi parë këtë vullnet nga qeveria dhe aq më pak te vendimi i fundit i Konferencës së Kryetarëve. Ai komenton gjatë dhe zhvillimet brenda kampit opozitar dhe atij socialistë në veçanti, ku flet për Kongresin, listën e Asamblesë, politikën e afrimeve në PS, si dhe për qëndrimet e mbajtura nga deputetët Islami, Harasani e Malaj. Xhafaj, pyetjes për një koalicion të mundshëm me LSI-në në zgjedhjet e ardhshme, i përgjigjet se për të larguar Berishën duhet bashkimi i të gjithëve.

Intervistoi Fejzi Braushi

Zoti Xhafaj, para disa ditësh keni dorëzuar në komisionin e Ligjeve një plan-veprimi të detajuar për mënyrën dhe hapat që duhet të ndiqen për trajtimin e nismave ligjore që për t’u miratuar kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Çfarë përfaqëson propozimi juaj?

Propozimi që paraqita, në emër të deputetëve socialistë të komisionit, është koherent me qëndrimet e mbajtura edhe më parë nga Grupi Parlamentar Socialist. Propozimi konkret dhe argumentet e paraqitura prej meje në letrën drejtuar z.Rusmali dhe Konferencës së Kryetarëve, janë reflektim i propozimeve të bëra me Paktin Kombëtar dhe ofertës publike të prezantuar nga ana jonë në tryezën “Drejtësia në sfidën e integrimit”. Mazhoranca bëri një hap tërheqje nga pozicioni i saj. Vendosi tërheqjen e projektligjeve nga axhenda e Kuvendit, duke i kaluar për shqyrtim në komisionet e përhershme parlamentare. Ne bëmë hapin tjetër. Propozuam një kalendar konkret kohor për shqyrtimin dhe miratimin e projekt-akteve, si dhe propozuam procedurën e shqyrtimit të tyre, në mënyrë që të garantohej një proces transparent e gjithëpërfshirës. Konferenca e Kryetarëve miratoi propozimin për të ndërtuar një kalendar kohor duke vendosur disa kode të fushës së transporteve, për t’u shqyrtuar e miratuar brenda këtij sesioni parlamentar.

Propozimi i paraqitur, në mënyrën e konceptuar nga ne, reflekton vullnetin dhe angazhimin tonë për të ndërtuar një proces gjithëpërfshirës e transparent për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë 3/5-at e votave të anëtarëve të Kuvendit, por duke marrë në shqyrtim të gjitha ndërhyrjet e nevojshme përmirësuese që janë propozuar si dhe ato që mund të adresohen në këtë proces, gjithmonë në përputhje me standardet europiane. Synimi ynë i shpallur prej kohësh si një vullnet politik e parlamentar, është realizimi i një procesi tërësisht transparent e gjithëpërfshirës, të përshkruar nga fryma e debatit dhe me asistencë të ekspertizës profesionale. Gjykojmë se një proces ligjvënës i mbyllur dhe formal, siç edhe rrezikohej të ndodhte (dhe siç nuk duhet të ndodhë!!), nuk do t’i shërbente askujt, as publikut, as vetë politikës së ditës dhe as detyrimeve të vendit në procesin e integrimit.

Dje është bërë i mundur një konsensus parimor mes mazhorancës dhe opozitës, për të paktën për tri nga 10 pikat e paktit që paraqiti opozita disa javë më parë, dhe më konkretisht për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe ligjet me 3/5. A vlerësoni se është një konsensus parimor që do t’i qëndrojë kohës?

Është një hap i parë dhe një hap i mirëpritur. Ky është, veç të tjerash, produkt konkret i presionit ndërkombëtar dhe lexim korrekt i nevojës së kohës. Fatkeqësisht, është më shumë meritë e tyre (veçanërisht ambasadorit të BE dhe atij të SHBA) sesa një rezultat i vetë palëve të politikës vendase. Që mund dhe duhej ta kishte hedhur këtë hap prej kohësh. Duke thënë këtë, dua të theksoj sërish se Partia Socialiste i kishte bërë prej kohësh propozime të tilla.

Do të dëshiroja shumë që një gjë e tillë të ishte konsensus parimor. Do të doja shumë që në këtë pikë secila nga palët të ketë arritur me logjikë dhe gjakftohtësi, por dyshoj të jetë pikërisht kështu. Kryetarja e Kuvendit nxitoi ta konsiderojë si ngjarje këtë vendimmarrje të Konferencës së Kryetarëve. Me një mburrje të çuditshme, si një klient në një dyqan peshku, që pretendon se është peshkatar. Zonja në krye të Kuvendit, aty ishte edhe para dy-tre muajsh, kur kishte në tryezë të njëjtin propozim dhe heshti. Megjithatë, veç kohës së humbur, këto detaje kanë pak rëndësi. Në politikë rëndësi ka më shumë rezultati se çjerrja nëpër degë për të prerë e pronësuar dafina lavdie. E rëndësishme është që askush të mos e konsiderojë kompromisin si një pazar të radhës, që ligjet të mos shihen si numëratore filloristësh që mësojnë veprime aritmetike, por si një proces që nxjerr produkt të qëndrueshëm dhe të dobishëm.

Zhbllokimi i situatës është një sinjal pozitiv. Kriza që ka sot demokracia e shteti i së drejtës në Shqipëri nuk qëndron te numri i ligjeve të miratuar si shumatore votash. Thelbësore është te cilësia e tyre. Duke përmendur dhe sistemin e drejtësisë në këtë kontekst. Te drejtësia nuk besojnë qytetarët, nuk besojnë vetë politikanët, nuk besojnë as ndërkombëtarët, disa nga të cilët, madje, e kanë thënë fare hapur një gjë të tillë. Drejtësia e munguar është pengesë serioze për integrimin e vendit. Ishte shumë e qartë dje ambasadorja britanike për këtë çështje, si dhe një pjesë e kolegëve të saj të shqetësuar realisht për gjendjen e sistemit. Për të pasur pikën e kthesës, duhen reforma reale, të besueshme dhe të qëndrueshme. Fatkeqësisht, ende nuk e kam parë këtë vullnet nga qeveria. Aq më pak ta shoh te vendimi i fundit i Konferencës së Kryetarëve. Kjo është një gjë që më shqetëson. Uroj të ndryshojë vërtet diçka në praktikën që do të ndiqet më tej. Le të shpresojmë! Shpresa është e fundit që vdes. Jam i bindur se ajo do të rilindë shpejt në Shqipëri. Unë besoj te komunikimi. Te kompromisi. Te konsensusi për vepra dhe vlera të qëndrueshme dhe mbipartiake. Konsensusi parimor është cilësi e udhëheqësve, e liderve dhe jo e shefave dhe e bosëve partiakë apo qeveritarë, siç synohet të trajtohet dhe të pronësohet në Shqipëri. Lidershipi politik shqiptar mbetet ende kontravers në mënyrën e të bërit politikë. Dhe është tërësisht jashtë kohe e jashtë mode. Mjaft të shihet se çfarë po ndodh në rajon. Prirja është për të gjetur dhe garantuar konsensuse të gjera qeverisëse, si një rrugë themelore për të siguruar kohezion moral e social në shoqëri dhe si një mënyrë për të zbutur efektet e krizës së rëndë ekonomike. Te ne ngjet e kundërta. Megalomania dhe papërgjegjshmëria e lidershipit politik në përgjithësi dhe veçanërisht e atij qeverisës, është vërtet shumë trishtuese. Është Don Kishoteske. Tërësisht hipokrite dhe qesharake.

Para pak ditësh PS mbajti Kongresin e saj të radhës, ku kryetari Edi Rama përcolli edhe mesazhin se në këtë forcë nuk do të ketë përjashtime, ndërsa bëri thirrje për hapje të partisë dhe rikthim të të mënjanuarve apo të larguarve. Është kjo linja e duhur që duhet të mbajë PS dhe a kemi këtu një kopjim të asaj politike që ndoqi PD më 2005, kur hapi dyert e partisë për të gjithë të larguarit?

Ndaj të njëjtin gjykim me Kryetarin. E mbështes plotësisht fjalën e tij në Kongres në këtë aspekt. Kam qenë përherë konsekuent në pikëpamjen se duhet durim, maturi e mençuri në trajtimin e raporteve njerëzore, politike dhe institucionale në një organizatë politike. Për më tepër në një organizatë si Partia Socialiste, ku solidariteti dhe kohezioni ka qenë një vlerë dhe një qëllim i pangatërrueshëm me askënd tjetër. Them kanë qenë, sepse me kohë, edhe solidariteti, edhe kohezioni mes nesh, shpesh janë plagosur nga vetë ne.

Ky nuk është një proces që realizohet as me një dhe as me dy fjalime. As me një shtrëngim duarsh dhe as me një kafe publike. Më shumë sesa një raport mes individësh, ai duhet të jetë një proces debati e konsensusi midis njerëzve të së njëjtës familje politike, që integron natyrshëm të gjitha pikëpamjet dhe kontributet e gjithsecilit, një proces përfshirje përmes vendimmarrjes kolegjiale, një riformatim i forumeve në funksion të nevojës për të krijuar një ekip pune, një ekip fituesish.

Për zgjedhjet në Asamblenë Kombëtare gjatë kongresit pati dhe kontestime nga deputetë të ndryshëm, ndërkohë që u zgjodhën shumë figura që kishin qenë më parë në këtë forum, si dhe shumë figura të reja kryesisht të paangazhuar në politikë. Si do ta vlerësonit përmbajtjen e listës?

Sot kemi një listë në të cilën ka shumë anëtarë asambleje me kontribute të spikatura në historinë e PS dhe kjo është shumë gjë e mirë, ka rimbajtje të mandatit nga disa prej anëtarëve të asamblesë dhe kjo gjithashtu është pozitive për kontinuitetin e këtij forumi. Edhe midis prurjeve të reja ka emra që meritojnë respekt për vlerat e tyre profesionale dhe kontributet e çmuara si ekspertë të PS në gjithë këto vite.

Problemet e konstatuara, kontestimet e shprehura një pjesë edhe të bëra publike (me të cilat unë jam përgjithësisht dakord) janë tregues i disa defekteve të konstatuara në procesin e përgatitjes dhe organizimit të kongresit. Në këtë aspekt disa elemente organizative mund të ishin më të arrira. Me masa më të mira drejtuese dhe organizative mund të kishim një analizë paraprake të asamblesë së mëparshme, për të kuptuar përse disa emra nuk janë më pjesë e saj, mund të ndërtonim disa kritere më të mira që do të na jepte një listë edhe më përfaqësuese dhe kryesorja, një proces votimi e numërimi shumë më të shpejtë. Të kuptohemi, po flas për partinë e socialistëve, për pritshmëritë e publikut ndaj socialistëve dhe jo për partinë shpk me një ortak të vetëm Sali Berishën. As denjoj ta bëj një krahasim të tillë, se është njëlloj si kur të krahasosh një kazermë reparti me një tryezë debati. Ndaj dhe duken aq qesharake ato komunikatat e shtypit të Berishës për kongresin dhe votimin në PS.

Z.Xhafaj, gjatë gjithë fazës para Kongresit, por edhe në Kongres, disa deputetë të njohur të PS-së, si Arben Malaj, Kastriot Islami, apo Andis Harasani, ndërmorën një tur në bazë, ku kërkonin demokratizimin e partisë, ndërsa ankoheshin për mungesën e lirisë brenda saj. Si do t’i gjykoni këto pretendime dhe këtë tur?

Personalisht kam ndjekur me vëmendje çdo reagim të kolegëve lidhur me nevojën e forcimit dhe demokratizimit të mëtejshëm të partisë. Kam konsideruar të rëndësishme kritikat dhe sugjerimet e tyre për një funksionim më të mirë të forumeve dhe vendimmarrjes kolegjiale në strukturat e PS në të gjitha nivelet. Një pjesë e mirë e vërejtjeve dhe propozimeve të tyre nuk janë të panjohura, pasi janë çështje që janë debatuar gjerësisht në këto vitet e fundit brenda nesh. Të hapur ndaj çdo lloj kontributi përmirësues, dëshiroj të bëj me dije se këto qëndrime kanë qenë pjesë e dokumenteve të shqyrtuara dhe ku është mbështetur grupi i punës, ku unë bëja pjesë si pjesë e komisionit për reformën organizative dhe statutore. Një reformë të cilën personalisht, siç e kam thënë edhe në fjalën time Kongres, nuk e konsideroj një proces të mbyllur. Përkundrazi. E konsideroj një proces prioritar nga duhet ta fillojë punën Asambleja e re Kombëtare. Jemi ende në kohë për një reformë të thellë e të plotë organizative. Nesër ndoshta mund të jetë vonë.

Për t’i qëndruar përballë dhe korrekt pyetjes suaj, më duhet të them se kam parë me shumë shqetësim dhe me rezervë deklarimet e disa prej kolegëve të bëra, sipas meje, jo në vendin dhe mënyrën e duhur. Në disa raste, në disa shkrime gazetash edhe në tejkalim të etikës politike që duhet të ndërtohet brenda të njëjtës familjeje politike. I përkas bindjes se debati duhet bërë në forume, në të cilat padyshim duhet të forcohen më tej mekanizmat që garantojnë lirinë e debatit dhe vendimmarrjen kolegjiale. Mirëkuptoj çdo mendim të disa prej kolegëve ndaj mendimit të kolegëve të tjerë, qofshin edhe të shumicës, por personalisht nuk mbështes asnjë veprim që dëmton kohezionin dhe strategjinë e forcës sonë politike. Në politikë ka rëndësi edhe mirëpërcaktimi i prioriteteve që janë pjesë e strategjisë së forcës politike.

Ndërkohë, gjatë muajve të shkuar këta deputetë jo gjithmonë kanë zbatuar vendimet e grupit apo të partisë, të paktën për procesin parlamentar. A duhet të ishin penalizuar ata dhe realisht a kemi një zbatim me dy standarde të statutit të partisë përsa i përket penalizimeve, pasi më 2007 për thyerje të vendimit të grupit u përjashtuan 5 deputetë socialistë?

Gjykoj se kjo duhet konsideruar një histori e kapërcyer tashmë. Kongresi orientoi një marrëdhënie të re në këtë aspekt. Edhe sepse është në funksion të prioriteteve që ne kemi, edhe sepse diçka nuk ka funksionuar ashtu siç duhej në kohën, mënyrën dhe vendin e duhur. Është pranuar nga të gjithë në heshtje një lloj amnistie ndërmjet nesh. Kur e kam përdorur për herë të parë një term të tillë, në verë, në revistën MAPO, kam marrë shumë reagime. Po e shpjegoj me dy fjalë më shumë. Si term juridik, amnistia nuk është e njëjtë me faljen. Është qëndrim ndaj veprës, ndaj aktit nga i cili përfiton si personi edhe institucioni. Amnistia nuk merret me emra të veçantë, por me kategori aktesh, veprimesh a mosveprimesh. Në thelb, ajo shpreh forcë dhe jo dobësi. Në PS ne e kemi këtë forcë që të ngrihemi mbi atë çfarë ka ndodhur, duke reflektuar mbi qëndrimet e djeshme për të ndërtuar një të sotme dhe një të nesërme me më shumë kohezion dhe solidaritet brenda nesh. Kjo kërkon reflektim nga të gjithë si një përgjegjësi historike ndaj forcës sonë politike dhe ndaj zgjedhësve tanë që presin të demonstrojmë një sjellje tjetër politike.

Në këto vite opozite kemi bërë mjaft punë të mira, por kemi bërë dhe gabime. Është momenti që të shfaqim përgjegjësinë t’i shohim në sy gabimet dhe të luftojmë për t’i ndrequr. Sot është koha për të qenë bashkë. Për të kuptuar përfundimisht se çfarë na bashkon, nuk është vetëm vokacioni krenar socialist, nuk është vetëm misioni historik për t’i dhënë fund këtij tranzicioni të gjatë e të pamerituar, nuk është vetëm detyra për të ndëshkuar këtë keqqevrisje dhe korrupsionin e saj galopant. Neve, socialistëve shqiptarë, na bashkon socialisti i thjeshtë dhe qytetari i paparti, që kërkon një jetë normale, na bashkon solidariteti, sakrifica dhe aftësia për të ndryshuar, për t’u vetëpërsosur. Besoj se të gjithë kemi kuptuar një gjë shumë të thjeshtë po njëherësh edhe shumë të rëndësishme. Ne jemi pak për t’u ndarë. Ne kemi pak gjëra që na ndajnë mes njëri-tjetrit! Ne kemi shumë gjëra që na bashkojnë me njëri – tjetrin. Ne duhet të jemi edhe më shumë për të fituar!

Tashmë, në ditët në vijim, pritet të zgjidhen dhe dy forumet e tjera të fundit drejtuese, siç është kryesia dhe sekretariati ekzekutiv. Duhet të zgjidhen në këto forume emrat e Islamit apo Harasanit, të cilët prej shumë muajsh jo vetëm që kanë qenë kundër veprimeve të lidershpit socialist, por edhe nuk kanë marrë pjesë në detyrat që mbanin në parti. Ju vetë do t’i votonit, nëse ata do ishin në listë?

Nuk e hartoj unë listën e propozimeve për kryesi dhe as për sekretariatin. Është e drejtë e kryetarit dhe e vetë anëtarëve të asamblesë. Unë jam një prej atyre që pret të votohen dhe që njëherësh do të kem të drejtën e votës në këtë forum. Gjë që përsa më përket mua do ta bëj me shumë përgjegjësi. Personalisht mendoj se, veçanërisht në kushtet aktuale dhe të situatave që kemi pasur brenda nesh, një listë për kryesinë është një sfidë e vështirë, por jo e pamundur. Në gjykimin tim ajo duhet të jetë jo thjesht një listë, por një projekt për lidership. Një projekt që shpreh gjithëpërfshirjen, që njeh e respekton kontributet dhe angazhimet reale politike në këto vite, që harmonizon më mirë grupmoshat që ka vetë partia, që vlerëson aftësitë e demonstruara për të drejtuar e organizuar, përgjegjshmërinë për të punuar në ekip dhe në funksion të ekipit, që çmon autoritetin partiak dhe elektoral të personave të përfshirë në të.

Po Malaj, duhet të rizgjidhet ?

Nuk besoj se është mirë të kalohet në emra të përveçëm. Por pavarësisht kësaj, mund t’ju them se kolegu Malaj është një deputet me shumë përvojë dhe me kontribute të evidentuara në vite për PS. Ai është një socialist i mirë, që mendoj se në çdo situatë do të mbetet i tillë, një socialist i mirë. Dhe në këto kohë të këqija që po kalojmë, ky besoj se është një titull që jep dinjitet.

Në kongres nuk u vu re ndonjë theks as për mirë as për keq për LSI-në , ndërkohë që Rama u shpreh për nevojën për hapje të PS-së. A përfshihet edhe LSI në këtë hapje?

Personalisht kam qenë dhe mbetem përkrahës i koalicioneve dhe aleancave të gjera e sidomos kur këto janë brenda një spektri politik dhe në interes të vendit. Këtë qëndrim kam mbajtur edhe në zgjedhjet e vitit 2009, paçka se për një pjesë të kryetarëve të partive aktuale personalisht kam rezerva jo të vogla. Kjo logjikë më duket e drejtë kur nuk flitet për krushqi personale, për pazare emrash, personash, por për raporte organizatash e grupesh politike që kanë pas tyre njerëz dhe votues që kërkojnë një qeverisje ndryshe. Ca më shumë kur bëhet fjalë për simpatizantë e votues që i përkasin të njëjtit krahu politik.

Në politikë dhe për më tepër në realitetin e politikës shqiptare ka rëndësi përcaktimi i prioriteteve. Personalisht nuk di të ketë prioritet më të madh se largimi i Sali Berishës një orë e më parë nga qeverisja e vendit. Kjo është tashmë një detyrë patriotike për cilindo që pranon se vendi po rrëshqet çdo ditë në humnerën e krizës ekonomike, krizës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Rreth këtij prioriteti duhet të bashkohemi të gjithë. Keqqeverisja e Sali Berishës po dëmton edhe socialistët, edhe demokratët, edhe LSI -stët, edhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, edhe socialdemokratët, çamët, demokristianët, republikanët apo legalistët. Ajo po dëmton vendin duke e çuar atë drejt një pike të mezikthyeshme. Ky alarm nuk e pranon arsyetimin e llogoreve partiake, apo rreshtimin strikt për ngjyrat e programeve. Ky është qëndrim patriotik ndaj fateve të vendit. Këtë po bëjnë fqinjët tanë në rajon, po realizojnë një politikë ndryshe, sepse janë të përgjegjshëm për situatën që po kalon rajoni. Dhe kur e bëjnë ata që kanë pasur dhe kanë demokraci të konsoliduara, mendoni sa urgjente dhe emergjente është që një akt i tillë të ndodhë në Shqipëri. Sepse Shqipëria po jeton jo thjesht vitet e një krize të shumëfishtë, por edhe periudhën e qeverisjes nga një regjim autokratik, i paaftë dhe i papërgjegjshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›