E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni: Nuk dorëzohem,nuk heq dorë nga politika

Silvio Berluskoni nëpërmjet një video-mesazhi tha se dha dorëheqjen pasi mbante përgjegjësinë ndaj shtetit, për të evituar një sulm të ri nga kriza financiare.

Ndër të tjera, ai tha se ka fituar shumë herë besimin e Dhomës së Senatit. “Dorëheqja ime për fat të keq është shoqëruar me ofendime. Ata qindra mijëra italianë që protestuan të shtunën e dinë mirë se ne bëmë gjithçka që të parandalojmë një krizë të thellë financiare e cila ka goditur të gjitha vendet e zhvilluara, jo vetëm Italinë. Falenderoj italianët, faleminderit për mbështetjen për forcën që na keni dhënë dhe që na keni dhënë mundësinë për të arritur shumë objektiva që në vitin 1994 me futjen time në politikë”, tha Berluskoni. Më pas ai shtoi se ka ende vizione për të ardhmen, duke shtuar se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga politika. “Dua të qartësoj për të gjithë ata të cilët mendojnë se mund të dal nga skena politike, se unë do të dyfishoj pozicionin tim politik për të rinovuar Italinë. Nuk do të dorëzohem derisa të arrijmë të modernizojmë Italinë.

“Duke u bazuar në këto virtyte, ne jemi gati të mbështesim Presidentin e Republikës për t’i dhënë menjëherë vendit një qeveri me profil teknik me një konsensus të gjerë parlamentar. Ne po bëjmë detyrën tonë. Ka ardhur çasti që të hedhim pas krahëve çdo inat personal. Duhet të jemi të bashkuar për të përballuar një krizë që nuk lindi në Itali”, tha ai. Rroftë Italia dhe rroftë liria!- përfundoi fjalën e tij ish-kryeministri Berluskoni.

Kryeministri më jetëgjatë

Berluskoni, siç pat premtuar, dha dorëheqjen pasi ligjvënësit miratuan një sërë masash shtrënguese që synojnë rivendosjen e besimit në aftësinë e tregut të Italisë për të shmangur një katastrofë financiare-si ajo në të cilën aktualisht po kalojnë Greqia, Irlanda dhe Portugalia. Berluskoni, 75 vjeç, ka dominuar politikën italiane për 17 vitet e fundit, duke mbajtur postin e Kryeministrit për 10 vjet, që e bëjnë atë njeriun që qëndroi më gjatë në postin e Kryeministrit në Itali pas Luftës së Dytë Botërore.

Viteve të fundit Berluskoni është përballur me hetime rreth akuzave për korrupsion dhe keqpërdorime seksuale, por rënia e tij ndodhi pasi Italia u vu nën një presion të madh ndërkombëtar rreth veprimeve për financimin e borxhit të saj, si dhe për ta shpëtuar vendin nga kriza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›