E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja, Rama:Hap pozitiv, u plotësuan tre pikat e paktit

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e ka cilësuar si hap pozitiv marrëveshjen e arritur dje mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe për paketën e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave.

Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama theksoi se arritja e konsensusit për tre nga 10 pikat e paktit të opozitës është një hap pozitiv ndërsa tashmë duhet të fillojë zbatimi i tyre..

"Tashmë duhet kryer reformë zgjedhore deri në fund të marsit me një proces transparent dhe të hapur, duhet të kryhet reforma parlamentare brenda katër muajsh, me qëllim kthimin e Kuvendit në një institucion me standarde evropiane dhe gjithashtu duhet të kryhet reforma shtetndërtuese përmes ligjeve që kërkojnë 3/5, ku Partia Socialiste do të japë të gjithë kontributin e saj" ka theksuar Rama.

Gjithashtu Rama propozoi ngritjen e një komisioni ad-hoc, për shqyrtimin dhe seleksionimin e kandidaturave për Avokatin e Popullit.

"Ky komision të hartojë një ftesë publike për të gjithë ata persona që e shohin veten të aftë për të kryer këtë funksion të rëndësishëm. Komisioni duhet të përgatisë brenda 30 ditësh një raport dhe një propozim konkret në grupin parlamentar për kandidaturën e Avokatit të Popullit" ka theksuar Rama.

Shefi i selisë rozë deklaroi gjithashtu se kjo forcë politike ka nisur punën për hartimin e një pakete propozimesh për buxhetin e vitit 2012 ndërsa është gati të japë konsensus nëse pranohet propozimi.

Në vlerësimin e Ramës 99% e bizneseve mbartin çmime reference abuzive ndërsa propozimet në programin e hartuar nga Partia Socialiste përmbajnë referencat.

“Kriza ka cekur kockën e ekonomisë shqiptare dhe ajo po bëhet akute për 90 përqind të shqiptarëve.Njerëzit e zakonshëm nuk e përballojnë dot faturën e muajit ndërsa 99% e bizneseve bartin çmime reference abuzive. Më e rënda është se nuk ka asnjë përpjekje nga qeveria për të ndalur stuhinë financiare që po përhapet me shpejtësi dhe nuk do të kursejë as sipërmarrjen” ka theksuar Rama.

Rama gjithashtu i ka cilësuar si të njëanshme vendimet e gjykatave të cilat kanë dënuar m gjoba deputetët e PS-së të cilët janë paditur nga kolegët e tyre demokratë.

“Por cilët janë gjyqtarët që japin vendime për llogari të Saliut, duke ndëshkuar me gjoba si të mafies deputetë të opozitës? Një gjë u them: E vërteta njësoj si e drejta, vonon por nuk harron. Bëni mirë të mos harroni që toga e zeza që vishni, nuk do t`ju mbrojë gjithë jetën, sepse drejtësia në Shqipëria do të vihet në një ditë jo shumë të largët. Ato gjoba mafioze gjykatësish, janë për të gjithë opozitën. Askush nuk e blen dot heshtjen tonë, jemi solidarë 100% me 9 deputetët që janë përzgjedhur nga shtëpia e Saliut për tu gjobitur nga gjykatësit”, theksoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›