Çlirohet Tirana, nis qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve në sheshin “Skënderbej”
Pas më shumë se një viti punime, sheshi “Skënderbej” është hapur për qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, është vënë re çlirimi i trafikut në akset problematike përreth qendrës.
Qytetarët janë shprehur të kënaqur jo vetëm për qarkullimin e lirë të automjeteve, por edhe për pamjen e rregulluar që të ofron qendra e Kryeqytetit. “Është jashtëzakonisht mrekulli. I lumtë Lulzim Bashës që e mbajti fjalën dhe na çliroi nga katrahura e trashëguar”, u shpreh një nga qytetarët.
Por, po ashtu kryeqytetasit janë optimistë se jo vetëm sheshi “Skënderbej”, por të gjitha akset kryesore të Tiranës, do t’i nënshtrohen dimensionit të rehabilitimit dhe rikonstruksionit tërësor. “Ndryshimi ndjehet. As që mund të krahasohet me atë që ishte. Sheshi ka një pamje krejt ndryshe, është një kënaqësi për të gjithë ne. Duket që gradualisht do të rregullohet dhe sistemohet e gjithë Tirana. Ajo punë që s’u bë për dy vjet me 3 punëtorë që nxirrte Bashkia e atëhershme këtu, u bë për vetëm 3 muaj”, deklaroi një qytetare e Tiranës.
Në vendkalimet për këmbësorët kanë qëndruar për gjatë gjithë ditës efektivë të policisë rrugore, të cilët kanë orientuar kalimtarët që të respektojnë vijat e bardha, por edhe drejtuesit e mjeteve të cilët duhet t’i trajtojnë me përparësi këmbësorët. Në të gjithë sheshin është vendosur sinjalistika treguese, për qarkullimin normal në qendrën e rehabilituar të Kryeqytetit. Rreth-rrotullimi përveç rrugëve të asfaltuara dhe trotuareve, tashmë ka edhe korsitë dedikuar biçikletave.