Zëvendësohet kryetarja, shkarkohet kancelari

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi merr masat pas inspektimit të ngjarjes në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi shkarkoi dje kancelarin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda si dhe i propozoi KLD-së ndryshimin e vendimit për komandimin e kreut të kësaj gjykate.
Nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë për mediat, mësohet se Ministria i Drejtësisë pas inspektimit të datës 08. 11. 2011 të ngjarjes së ndodhur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në datën 07. 11. 2011, ku u konstatua mangësi të provave materiale përfundoi raportin e inspektimit, evidentoi shkeljet e ligjit dhe zhvilloi seancën dëgjimore me kryetaren e komanduar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Etleva Deda dhe me kancelarin Rozario Rica.
Në përfundim të këtyre procedurave u konkludua me shkarkimin e kancelarit sipas nenit 37 të Ligjit Nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.
Në lidhje me kryetaren e komanduar Etleva Deda, ministri i Drejtësisë nuk aplikoi fillimin e procedimit disiplinor sipas nenit 17 të Ligjit Nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” edhe për shkak të statusit të saj në detyrë si e deleguar dhe jo si kryetare e emëruar.
Për këtë arsye, Ministri i Drejtësisë i propozoi KLD-së ndryshimin e vendimit për komandimin e Etleva Deda, bazuar edhe në Vendimin Nr. 227/2, datë 28. 03. 2008 “Për funksionin drejtues në gjykata”, sipas të cilit kryetari i deleguar e ushtron këtë funksion deri në 3 muaj.
Ndërkohë, nga ana e tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vijim, të propozimit të Ministrit të Drejtësisë, vendosi revokimin e vendimit të mëparshëm të tij, për delegimin e gjyqtares Etleva Deda në krye të të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, si dhe delegimin në atë funksion, të gjyqtarit të kësaj gjykate, Sandër Simoni.