Rama dorëzoi konsensusin pasi shtiu në dorë kongresin
PD – PS konsensus për Reformën Zgjedhore dhe ligjet me 3/5
Epoka e kurbanit u mbyll me izolimin e zërit ndryshe në PS dhe zgjedhjen e një forumi privat, si Asambleja e dalë nga Kongresi i 5 nëntorit. Pas vendosjes së diktaturës partiake, Edi Rama ngre traun e doganës, që i pat vendosur integrimit të vendit, por mbetet droja se konsensusi do të zgjasë shumë pak, aq sa do të ketë qetësi në formacionin bolshevik të pinjollëve të brezit të dytë të Bllokut
Konferenca e Kryetarëve miratoi dje me konsensus të plotë ngritjen e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, i propozuar nga kryetarët e grupeve parlamentare të PD dhe PS, përkatësisht Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi.
Në mbledhjen e zhvilluar dje paradite, u ra dakord që komisioni i posaçëm parlamentar, për reformën zgjedhore të përbëhet nga 5 anëtarë të mazhorancës dhe 5 të opozitës, të cilët do të nisin nga puna për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Komisioni do të ketë dy bashkëkryetarë, ndërsa formimi i tij, bëhet me përbërje të barabartë mes shumicës e pakicës, sipas përbërjes së përcaktuar në vendimin përkatës për ngritjen e komisioneve ad hoc.
Përfaqësuesit e komisionit të reformës zgjedhore do të shqyrtojnë modalitetet përkatëse të ligjit elektoral, çka parashikohet të jetë në funksion të konsensusit të shpallur tashmë. Pas mbledhjes së djeshme, Patozi dhe Ruçi u shprehën për mediat se të dyja palët politike arritën me konsensus të nisin punën për reformën zgjedhore dhe adresimin në Kuvend, të ligjeve me shumicë të cilësuar.
“Miratuam me konsensus ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe një axhendë diskutimesh për një pjesë të projektligjeve që kërkojnë 3/5 e votave”.
Marrëveshja e djeshme është një ogur i mirë për perspektivën e Shqipërisë në rrugën e integrimit, si dhe një çelës për ç’bllokimin e reformave dhe ligjeve të kërkuara nga ndërkombëtarët, të cilat prej dy vitesh qëndrojnë në pritje të votës unanime.
Fundjavën e kaluar kreu i OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen wollfarth u kërkoi palëve politikë të nisin sa më parë bashkëpunimin për reformën zgjedhore. Por s’kanë munguar as apelet e kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, për angazhimin e klasës politike në plotësimin e detyrimeve të vendit, në kuadër të përafrimit me Bashkimin Evropian.
Edhe Brukseli zyrtar ka apeluar jo vetëm njëherë, por gjatë gjithë krizës ciklike të shkaktuar nga Partia Socialiste që prej vitit 2009-ë. Reforma zgjedhore dhe 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat, pritet të jenë sfidat e vërteta të politikës që domosdo duhet të marrin vlerësimin pozitiv nga kancelaritë perëndimore, në mënyrë që t’i hapet rrugë perspektivës evropiane, njësoj si vendet e tjera të rajonit, të cilat prej një muaji e kanë marrë statusin e vendit kandidat. Por, shumë kush me të drejtë mund të pyesë se pse u zvarrit çështja e reformave, deri në atë pikë sa iu faturua Shqipërisë, vlerësimi negativ në progres – raportin vjetor të Brukselit. Sigurisht që për këtë s’ka një përgjegjës të shpallur, por dihet botërisht që Edi Rama i përdori kërkesat e Brukselit dhe detyrimet e vendit, për interesa të tij personale në PS. Pasi vinte si humbës i 8 majit, Edvini duhet të studionte çdo mundësi për të mbetur në krye të plehut të dalë nga dështimi më i madh elektoral, gjatë gjithë karrierës së tij politike. Dhe ia doli. Ia doli më së miri, duke sajuar një palo-kongres me pseudo-delegatë dhe prodhoi një asamble gollomesh si veten, e cila i paraprin fazës së fundit të përjashtimeve (në Kryesi dhe Sekretariat) dhe çimentosjes së kultit të individit në Partinë Socialiste. Ndaj dhe “risitë” e kësaj Asambleja që u formalizua fundjavën e kaluar, të tipit Caci, Xibri dhe Sollaku, janë thjesht boshti i së keqes, formacioni që lufton demokracinë për lartësimin e kultit prej diktatori të Edi Ramës.
Dhe konsensusi i munguar ishte pikërisht për të shtirë në dorë Kongresin, Asamblenë dhe me radhë Kryesinë dhe Sekretariatin.
Gjithsesi çdo e keqe e ka një të mirë: “U izolua Partia Socialiste, u çlirua Shqipëria”!