E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicionet, PD, Bode: Të hapur për negociata me çdo parti të djathtë e të qendrës

TIRANE- Partia Demokratike ka vijuar edhe sot takimet me krerë të partive të vogla, në kuadër të aleancës parazgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Në selinë e PD-së ka hyrë sot kreu i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia, Lufter Xhuveli i Partisë Agrare Ambientaliste, Adriatik Alimadhi i Ballit Kombëtar dhe kreu i Lëvizjes Shqipëria e Re, Edmond Velshaj. Ata janë pritur nga të mandatuarit për negociatat e koalicionit, Oerd Bylykbashi dhe Ridvan Bode.

Në përfundim të takimeve, Ridvan Bode u ndal përpara mediave duke bërë të ditur se deri tani koalicionit të djathtë i janë bashkuar 25 parti, ndërkohë që negociatat vijojnë. I pyetur nëse dyert e PD-së janë të hapura edhe për Frymën e Re Demokratike, zoti Bode u përgjigj “Jemi të hapur për të përfshire në këtë koalicion të gjitha partitë e djathta dhe të qendrës.”

Pas vendimit të së shtunës të Kryesisë së PD-së për të autorizuar sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode dhe shefin e kabinetit të Kryeministrit, Oerd Bylykbashi, gjatë pasdites së djeshme janë zhvilluar edhe takimet e para me disa nga partitë e vogla të qendrës së djathtë.

Partitë me të cilat dje është arritur marrëveshja janë BLD-ja e Arjan Starovës, Aleanca Demokratike e Arben Demetit, PBKD-ja e Artur Roshit dhe Agraro- ambientalistët e Xhuvelit. Baza e marrëveshjeve parazgjedhore është premtimi për bashkëqeverisje, si në tetë vitet e kaluara, e bazuar në votat që secila prej partive ka marrë.

Burime zyrtare nga selia blu bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se pjesë kryesore e koalicionit për këto zgjedhje do të jenë partitë me të cilat PD-ja fitoi në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë. Në krahasim me listën e 2011-s, dy parti nuk janë më në koalicionin e djathtë për shkak se kanë zgjedhur opozitën, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ndërkohë që dy prurjet kryesore të koalicionit që do të drejtohet nga Partia Demokratike, janë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Demokristiane. Lëvizja e Dashamir Shehit në zgjedhjet e 2009-s mori 10 mijë vota, ndërsa në ato lokale 21 mijë vota, shumicën e të cilave ajo e ka në Tiranë.

Ardhja e LZHK-së në koalicionin e djathtë minimizon deri diku rrjedhjet që mund të vijnë nga FRD-ja dhe që rrezikojnë mandatin e 16-të të PD-së. Ndërsa Partia Demokristiane e Nard Ndokës në 2009-n mori 13 mijë vota, kurse dy vjet më parë, në koalicion me PS-në, 47 mijë vota. Kalimi i PDK-së djathtas pritet të shtojë votat e koalicionit, veçanërisht në Shkodër dhe Lezhë, megjithëse marrja e një mandati më shumë në këto dy qarqe është i vështirë për shkak të numrit të madh të votave që kërkohen. Gjatë javëve të fundit është përfolur mundësia që Ndoka të jetë pjesë e listës së PD-së në qarkun e Shkodrës, ndërkohë që negociatat e këtyre ditëve do ta përcaktojnë këtë marrëveshje mes PD-së dhe PDK-së.

Përveç këtyre dy partive, pjesë të rëndësishme në koalicion do të kenë edhe republikanët, legalistët, ballistët, si dhe partitë e Xhuvelit e Starovës, të cilët kanë qenë të përfaqësuar edhe në qeverisjen e vendit. Burimet flasin se nga 67 parti që janë regjistruar në KQZ, do të negociohet me të gjitha ato forca që janë të qendrës dhe qendrës së djathtë, me qëllim krijimin e një koalicioni më të madh se të dy viteve më parë, kur numëroheshin 22 parti.

(er.nu/d.b/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›