Selia blu nis negociatat e aleancave, LDK-ja drejt kampit demokrat

Tiranë- Kreu i LDK-së Nikoll Lesi pas një takimi me anëtarët e grupit negociator të Partisë Demokratike ka deklaruar se oferta që ka marrë nga ajo për koalicionin e zgjedhjeve të 23 qershorit ka qenë e shkëlqyer.
Sipas tij, LDK-ja është më afër koalicionit me PD-në, por siç tha ai,vendimi do të merret sot pasdite në mbledhjen e kryesisë. Vetë Lesi ka thënë se do të votojë për koaliconin e djathtë.
Për mua personalisht, një votë jam por besoj e rëndësishme është që të ngelemi në këtë koalicion se shoh forca që ecin përpara- tha Lesi.
Sipas tij, oferta e kryesocialisitit Rama është shqyrtuar, por u shpreh se nuk sheh forca rigjeneruese të shkëlqyera që bëjnë të eci para vendin dhe shqiptarët.
Ndërsa disa ditë më parë, Lesi ka mbajtur një takim me kreun e PS-së, Edi Rama, me të cilin u diskutua për koalicionet parazgjedhore, ku Rama i ka bërë edhe ofertën e tij Lesit.
Ndërkohë sot Partia Demokratike ka nisur negociatat për të vendosur mbi koalicionin parazgjedhor. Sot në selinë blu janë paraqitur kreu i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia, Luftër Xhuveli i Partisë Agrare Ambientaliste, Adriatik Alimadhi i Ballit Kombëtar dhe kreu i Lëvizjes Shqiperia e Re, Edmond Velshaj. Negociatorët e PD-së kanë qenë Oerd Bylykbashi dhe Ridvan Bode, ndërsa nuk ka ende detaje mbi partitë që do të jenë në kapin demokrat.
Ndërkohë ministri i Financave, Ridvan Bode në një deklaratë të shkurtër për mediat u shpreh se deri më tani janë kryer negociata me 25 parti dhe pritet që vendimi përfundimtar të merret nesër se sa forca politike do të jenë në kampin demokrat.
Janë duke u kryer negociata me partitë e qëndrës së djathtë dhe të djathta. Janë rreth 25 parti që kanë përfunduar negociatat. Do të vijohet edhe mbasdite dhe nesër për të përfunduar negociatat. PD-ja është e hapur për të gjitha këto parti të qendrës së djathtë dhe të djathta,- tha Bode.