Koalicionet "e përbëra "
Kur kam dëgjuar për herë të parë termin “koalicion i përbërë”, jam përpjekur të kuptoj fillimisht se çfarë është koalicioni i thjeshtë, e më pas për të shkuar tek i përbëri. Nuk arrita ta kuptoj ndryshimin. Me koalicion politik nënkuptojmë një krijim të përbërë nga të paktën dy subjekte. Sipas kësaj logjike i bie që, “koalicion i përbërë”, të përkthehet: “përbërje e përbërë”.
Në historinë e politikës së re shqiptare njihen plot raste kur partitë kanë dalë në zgjedhje me koalicione. Megjithëse këto komponime kanë qenë të formave të ndryshme nuk janë quajtur as “të përbëra” as “të thjeshta”. Normalisht, në një garë elektorale, ose kemi koalicione të shkrira në një trupë elektorale, ku ndarja e vendeve bëhet sipas një marrëveshjeje paraprake, mes partive, e parashikuar në ligj, ose koalicione klasike ku partitë rreshtohen së bashku nën një emër koalicioni dhe fitojnë vende në parlament sipas një formule të përcaktuar po ashtu në ligj. Në të dyja rastet këto bashkime quhen thjesht “koalicione”. Llojin e një koalicioni nuk e përcakton terminologjia, por mënyra e ndarjes së vendeve në parlament.
Koalicionet e përbëra, për të cilat po flitet shumë në Shqipëri, janë të ngjashme me koalicionet e krijuara në Maqedoni, apo Serbi, ku sistemi i votimit është proporcional, përkatësisht rajonal dhe kombëtar. Këto lloj koalicionesh janë provuar prej shumë kohësh në Itali, kemi parasysh këtu grupimin e majtë, L’Unione, të Prodit (sot PD e Veltronit) dhe grupimin e djathtë, Poli i Lirisë, të Berlusconit, ku për pjesën e proporcionalit (sistemi italian është mix) vendet në parlament llogriten fillimisht për koalicionin dhe pastaj ndahen së brendshmi mes partive të koalicionit. Megjithatë, në këto vende, përdoret thjeshtë termi “koalicion”.
Kohët e fundit terminologjia “koalicion i përbërë” është përmendur si asnjëherë tjetër në politikën shqiptare. Çfarë fshihet në të vërtetë pas kësaj terminologjie?
Hartuesit e kodit po kërkojnë të krijojnë idenë se janë duke futur diçka të re të paparë ndonjëherë. Brenda kësaj terminologjie fshihet tendenca për të marrë nën sqetull edhe njëherë disa parti të vogla, të cilat, me ligjin e ri elektoral, nuk kanë asnjë shans për tu futur në parlament.
Në ndryshim nga viti 2005, hileja nuk është në mënyrën e marrjes së votës, nëpërmjet trafikut, ose fenomenit të quajtur “megadushk”, por në mënyrën e llogaritjes së vendeve në parlament, më saktë përdorimit të dy mënyrave të ndryshme. Në ndarjen e vendeve mes koalicioneve dhe partive që konkurojnë jashtë tyre, hartuesit e Kodit kanë parashikuar përdorimin e formulës D’ Hont, e cila favorizon partitë e mëdha, ndërsa për ndarjen e vendeve brenda koalicioneve, parashikohet një formulë tjetër, më proporcionale, me qëllim favorizimin e partive të vogla përbërëse të koalicionit. Përdorimi i dy formulave në llogaritje, ndryshe për partitë, ose subjektet, që konkurojnë veçmas dhe ndryshe për partitë brenda koalicioneve, krijon një pabarazi të dukshme mes subjekteve konkuruese që çon sërish në deformimin e vullnetit të qytetarëve.
Është e papranueshme që, partitë e mëdha, të falnin përsëri deputetë për partitë inekzistente, të cilat nuk mund të mbijetojnë në një sistem proporcional rajonal. Votat e partive të vogla, të të dy krahëve të spektrit politik, për shkak të sistemit, do të shkonin vetevetiu në llogarinë e partive relevante, duke vendosur balancën mes dy anëve të spektrit. Atëherë përse duhen krijuar formula që favorizojnë të vegjlit e bindur? Këta të fundit, nëse ju dhimbset spektri, përkatësisht e majta apo e djathta (siç i kemi dëgjuar të thonë), le të futen në koalicion dhe t’i nënshtrohen së njëjtës formulë. Dhe mbyllet puna. Normalisht koalicionet krijohen për të rritur forcën elektorale të grupimit brenda një spektri, jo për të pjellë dy standardizime dhe favore preferenciale në mundësinë e futjes në parlament të partive të vogla. Nëse duhen favorizuar ato, mund të përdoret që në fillim një formulë tjetër në shpërndarjen e vendeve nëpër rajone. Fjala vjen, në vend të metodës D’Hont, të përdoret formula Saint Laguë, që është më proporcionale. Duke bërë kështu të mundur që, në trajtimin e përballjes së çdo subjekti me opinionin publik, pavarësisht nëse ai konkuron veçmas apo brendanjë koalicioni, të përdoret e njëjta formulë, i njëjti standard. Diferencimi në llogaritje po kërkohet të bëhet në mënyrë që, partitë e vogla, të kenë vetëm një shans për t’u përfaqësuar në parlament: të futen nën hegjemoninë e partive të mëdha.
Për të kuptuar deformimin që sjell ky dystandardizim, po marrim një shembull. Në një nga rajonet elektorale, me rreth 15 deputetë (Fier ose Elbasan), supozojmë se konkurojnë tre subjekte: Koalicioni 1 me tri parti (A1, B1 dhe C1), Koalicioni 2, me dy parti (A2 dhe B2) dhe Partia V (e cila konkuron e vetme). Në përfundim të zgjedhjevesupozojmë se Koalicioni 1 ka fituar 48 % të votave, të ndara përkatësisht, Partia A1 me 44 %, Partia B1 me 3 % dhe Partia C1 me 1 %;Koalicioni 2 ka fituar 41 % të votive, të ndara përkatësisht, Partia A2 me 38 % dhe partia B2 me 3 %; ndërsa Partia V, që ka konkuruar e vetme, ka fituar 5 % të votave. Pjesa tjetër e votave është marrë nga partitë fare të vogla. Sipas metodës D’ Hont të llogaritjes, Koaliconi 1 do të fitonte 8 vende në parlament, Koalicioni 2 do të fitonte 7 vende,ndërsa Partia V asnjë vend. Nëse për llogaritjen e vendeve brenda koalicionit do të përdorej e njëjta formulë (pra D’Hont), atëhere vendet do të ndaheshin vetëm ndërmjet dy partive të mëdha A1 dhe A2, përkatësisht 8 me 7. Nëse për ndarjen e vendeve brendakoalicioneve do të përdorej formulë tjetër, p.sh. Saint Laguw, ose proporcionale e pastër, pa asnjë prag, siç edhe po kërkohet, atëhere brendaKoalicionit 1, partia B1 do të arrinte të merrte 1 vend, e po ashtu brendaKoalicionit 2, partia B2 do të merrte 1 vend. Siç shikohet, në rast të përdorimit të dy formulave të ndryshme, Partia V nuk do të fitonte asnjë vend edhe pse ka fituar 5 %, ndërsa do të përfitonin vende brenda koalicioneve parti që kanë edhe 3 % të votave. Ky fenomen mund të ndodhte në të gjitha rajonet (qarqet) e Shqipërisë, duke sjellë një deformim tjetër të dukshëm, ala “megadushk”, i cili do të bënte që qeveria të kondicionohej përsëri prej partive të vogla, që bazohen në klane interesash të ngushta jopërfaqësuese. Shmangia e këtij deformimi është po aq e thjeshtë sa ç’ ishte dikur shmangia e “megadushkut”, ku mjaftonte unifikimi i votës së kandidatit me atë të partisë. Tani mjafton unifikimi i formulës së llogaritjes së deputetëve brenda dhe jashtë koalicioneve. Në mënyrë që fenomeni “megadushk” të mos zëvëndësohet me fenomenin “mega-sqetulla”.